Depistimi i kancerit te ovarit

Kanceri i ovarit (OC) renditet i treti ndër tumoret gjinekologjike më të hasura tek gratë shqiptare, me një incidencë prej 72 raste të reja dhe 48 vdekje në vit. Ndonëse frekuenca e OC në Shqipëri konsiderohet e ulët krahasuar me ato të vëndeve evropiane, mund të ketë mospërputhje në burimet e të dhënave.

Sëmundja në fazën e saj të hershme rrallë shkakton simptoma të rëndësishme e për rrjedhojë, shumica e rasteve diagnostikohen në një stad të avancuar.

Cilat janë shënjat dhe simptomat e kancerit të ovarit?

Kanceri i hershëm i ovarit shkakton simptoma të pakta, jo-specifike ose aspak simptoma. Ndër ankesat më të shpeshta jo-specifike mund të përmendim:

  • meteorizëm, distension ose diskomfort abdominal
  • ndjesi shtypje në fshikzën e urinës dhe në rektum
  • konstipacion
  • hemorragji vaginale
  • dispepsi dhe refluks gastrik
  • dispne (vështirësi në frymëmarrje)
  • lodhje trupore
  • humbje në peshë
  • ndjesi ngopje edhe pas vakteve të lehta

Cilat janë testet depistuese për kancerin e ovarit?

Qëllimi i testeve depistuese është zbulimi i hershëm i kancerit, përpara se të shfaqë simmptoma. Fatkeqsisht, nuk ka një test të saktë depistues për kancerin e ovarit. Gjithë studimet të cilët kanë testuar vlerën e ekzaminimeve imazherike apo analizave laboratorike me anë të matjes së nivelit të markuesve tumoralë, kanë treguar se kryerja e këtyre testeve nuk ndikon në uljen e vdekshmërisë nga ky kancer. 

Udhëzuesit ndërkombëtarë nuk rekomandojnë screening me matjen e nivelit të CA125 në gjak ose ekos transvaginale për kancerin e ovarit në popullatën e përgjithshme. Veçanërisht, këto teste nuk rekomandohen për personat që nuk janë të riskuar për zhvillim të kancerit të ovarit.

Testimi laboratorik

Asnjë markues tumoral (si p.sh. CA125, betaHCG, alfa-fetoproteina AFP, laktat dehidrogjenaza LDH) nuk është plotësisht specifik.

CA125 është një proteinë e gjakut që ka vlerë tek pacientet me kancer të ovarit, kryesisht për monitorim të trajtimit. Problemi qëndron se kjo vlerë rritet edhe në situata të tjera shëndetsore që nuk përfshijnë këtë sëmundje. Megjithatë, në gratë me risk të lartë për zhvillim të kancerit të ovarit mund të vlejë në disa raste kryerja e kësaj analize.

Ekzaminime imazherike

Ekografia pelvike – mund të detektojë rritje anormale në vezore, por nuk mund të përcaktojë nëse këto rritje janë të shkaktuara nga kanceri. Ndonjëherë, këto rritje mund të shkaktohen nga situata shëndetsore jo serioze ose janë ndryshime normale që mund të ndodhin gjatë ciklit menstrual.

Kush duhet t’i nënshtrohet testeve të depistimit për kancer të ovarit?

Nuk është ende e qartë se kush duhet t’i nënshtrohet depistimit për kancer të ovarit. Aktualisht, ekspertët dakordësohen që:

Gratë me risk të ulët për kancer të ovarit nuk duhet t’i nënshtrohet testeve të depistimit. Kjo përfshin gratë që nuk kanë histori familjare për kancer të ovarit ose nuk janë mbartës të mutacioneve gjenetike që favorizojnë për zhvillim të kancerit të ovarit.

Gratë me risk të lartë për kancer të ovarit dhe që ende kanë vezoret e tyre, ndonjëherë duhet të depistohen. Kjo përfshin gratë që kanë histori familjare për kancer të ovarit ose mutacion gjenetik që rrit mundësinë e zhvillimit të një kanceri të vezoreve.

Pacientet me risk të lartë përfshijnë ato që kanë kryer testime gjenetike ku tregohet që ato:

  • Janë mbartëse të mutacioneve BRCA1/BRCA2
  • Kanë një situatë gjenetike të njohur si Sindroma Lynch, e njohur ndryshe si kanceri kolorektal jo-polipoz hereditar (HNPCC)

Nëse keni një histori familjare për kancer të ovarit ose keni mutacione gjenetike që rrisin riskun për të zhvilluar këtë sëmundje, diskutoni benefitet dhe disavantazhet e kryerjes se testeve depistuese për kancerin e ovarit me mjekun tuaj. Kjo mund të ndihmojë që të vendosni së bashku me mjekun se cilat teste depistuese janë të duhurat për ju.

Cilat janë benefitet e depistimit të kancerit të ovarit?

Përfitimi kryesor është detektimi i hershëm i kësaj sëmundje dhe për rrjedhojë një lehtësim në trajtimin e mëtejshëm. Kjo mund të ul mundësinë e vdekshmërisë nga kanceri i ovarit.

Cilat janë disavantazhet e depistimit të kancerit të ovarit?

Disavantazhi kryesor i testeve depistuese janë “fals pozitiviteti” i ekzaminimeve. Kjo ndodh kur depistimi tregon se mund të keni kancer kur në fakt nuk është kështu. Kjo mund të sjellë një situatë ankthi të panevojshëm dhe në testime të mëtejshme. Ndonjëherë, një rezultat ekzaminimi fals-pozitiv mund të çojë në një intervent kirurgjikal të panevojshëm.

Çfarë ndodh nëse rezultatet e mia të testeve depistuese janë anormale?

Nëse rezultatet e ekzaminimeve tuaja janë jashtë normës, mos u frikësoni!

Shumë njerëz që kanë rezultate anormale nuk kanë kancer të ovarit. Sigurisht, duhet t’i nënshtroheni ekzaminimeve të mëtejshme thelluese diagnostike për të parë nëse jeni të prekur nga kjo sëmundje, por asgjë nuk është definitive vetëm me rezultatet e ekzaminimeve depistuese.

“Një gram parandalimi i kancerit vlen sa një ton kurimi të tij.”

― Robert A. Wascher, A Cancer Prevention Guide for the Human Race

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna