Në Simpoziumin e Kancerit të Gjirit në San Antonio 2024, është paraqitur një studim i madh ndërkombëtar që përfshiu 5290 gra të reja mbartëse të mutacioneve BRCA, të diagnostikuara me kancer gjiri në moshë të re (deri në moshën 40 vjeç). Të dhënat janë mbledhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë të dhëna nga gratë shqiptare mbartëse të mutacionit BRCA, tek të cilat është analizuar ndikimi që kanë kirurgjitë profilaktike në rezultatet e përgjithshme të trajtimit për kancer gjiri.
Pra, a ndikon mastektomia dhe/ose salpingo-ooforektomia profilaktike në përmirësimin e rezultateve të trajtimit të një kanceri gjiri?
Rezultati kryesor i këtij studimi tregon se, në fakt, si mastektomia, ashtu edhe salpingo-ooforektomia profilaktike përmirësojnë në mënyrë të rëndësishme mbijetesën e përgjithshme, por gjithashtu edhe rezultatet e trajtimit në kancerin e gjirit.
Analiza përfshiu 5,290 paciente nga e gjithë bota, përfshirë Shqipërinë. Ndër këto paciente, 3,888 kishin kryer te paktën një kirurgji profilaktike: 2,910 kishin kryer mastektomi profilaktike, 2,782 salpingo-ooforektomia profilaktike (RRSO), nga këto 1,804 kryen të dy kirurgjitë profilaktke. Pjesa e mbetur, 1,402 paciente nuk kishin kryer asnje kirurgji profilaktike.
Pacientet që i ishin nënshtruar RRSO-s kishin rreth 42% më pak risk për vdekje dhe 32% më pak risk për rekurrencë të kancerit të gjirit ose të një kanceri tjetër primar. Përfitimi në mbijetesën e përgjithshme varej nga lloji i gjenit BRCA në të cilin ishte prezent mutacioni. Pacientet me mutacion në BRCA1 kishin përfitm më të madh nga kirurgjitë profilaktike se ato me mutacion në BRCA2 (56% vs. 15% risk më i ulët për vdekje, respektivisht).
Kur është marrë në konsideratë, nëntipi i kancerit të gjirit, është parë se kirurgjitë profilaktike kishin më shumë benfit në gratë me kancer gjiri “triple negative” (56% më pak risk për vdekje), pasuar me kancerin e gjirit me receptorë hormonalë pozitiv (20% më pak risk për vdekje).
Si ndikojnë gjetjet e këtij studimi në procesin e vendimmarrjes për gratë e reja mbartëse të BRCA?
Udhëzimet aktuale sugjerojnë që salpingo-ooforektomia profilaktike (RRSO) rekomandohet në:
- Mbartëset e BRCA1: Midis moshës 35 dhe 40 vjeç.
- Mbartëset e BRCA2: Midis moshës 40 dhe 45 vjeç.
Ndërsa, mastektomia profilaktike (RRM) rekomandohet, si për mbartëset e mutacioneve BRCA1 dhe BRCA2, koha e ndërhyrjes përcaktohet në mënyrë individuale, duke marrë parasysh moshën e pacientes, historikun personal dhe familjar, si dhe preferencat e pacientes.
“Të dhënat që vijnë nga ky studim, tregojnë qartë rëndësinë e kirurgjive profilaktike. Pavarësisht udhëzuesve jo të qartë për moshën e mastektomisë profilaktike, unë do të konsideroja mastektominë profilaktike më herët në trajtim, pasi ajo është e lidhur me një përmirësim të rëndësishëm të rezultateve të trajtimit në këtë grup specifik pacientësh. – shprehet Matto Lambertini, autori kryesor i studimit.







Lini një koment