Gratë me endometriozë kanë risk 4 herë më të lartë për të zhvilluar kancer ovari. Ndërsa një studim i publikuar në Journal of the American Medical Association, në Korrik 2024, tregoi se risku për kancer ovari tip I në gratë me forma severe të endometriozës, mund të jetë 19 herë më i lartë.
Endometrioza është një sëmundje, në të cilën, indi i uterusit gjendet edhe në struktura të tjera të kavitetit pelvik. Mendohet se prek rreth 11% të grave të moshës riprodhuese. Edhe pse dhimbja pelvike dhe infertiliteti janë pasojat më të shpeshta të endometriozës, kanceri i ovarit, gjirit dhe endometrit mendohet te jenë gjithashtu shpesh të lidhura me këtë gjendje.
Endometrioza mendohet të jetë indi i origjinës si për kancerin endometrioid dhe për kancerin e ovarit me qeliza të qarta. Gjithashtu, ka të dhëna për një bazë gjenetike, hormonale, immunologjike dhe inflamatore të ngjashme ndërmjet endometriozës dhe kancerit të ovarit me qeliza të qarta.
Studimi i publikuar në JAMA është studimi më i madh që ka hedhur dritë mbi lidhjen ndërmjet tipologjisë se endometriozës dhe histotipit të kancerit të ovarit.
Nga 78,893 gra të diagnostikuara me endoemtriozë, 597 prej tyre janë diagnostikuar me kancer ovari. Risku për kancer ovari tip I (endometrioid, qeliza të qarta, mucinoz, seroz gradë e ulët) ishte vecanërisht më i lartë në gratë me endometriozë. Riksu ishte më i lartë në gratë me endometrioza më severe (infiltrim i thellë dhe/ose endometrioma ovariane – aHR=18.96; 95%CI 13.78–26.08).
Përse mund të shërbejë ky studim?
Deri më tani përpjekjet për depistim të kancerit të ovarit kanë qenë jo frytdhënëse. Por, me identifikimin e një popullate në risk, të identifikuar nga ky studim, mund të përfitohet nga metoda depistuese të targetuara dhe strategji parandalimi më agresive.
Gjithashtu, për vlerësim më detajuar, informacioni i tipologjisë së endometriozës mund të përfshihet në modelet e parashikimit të riskut bashkë me informacione si statusi i mutacioneve BRCA1/2, karakteristika demografike (historia familjare për tumore gjinekologjike dhe kancer gjiri).
Mbi të gjitha, studimi mbështet rëndësinë e këshillimit të grave me forma severe të endometriozës, për riskun e shtuar për kancer ovari.







Lini një koment