Studimet e fundit tregojnë se përdorimi i përditshëm dhe afatgjatë i aspirinës zvogëlon si incidencën ashtu edhe vdekshmërinë nga kanceri kolorektal (CRC). Studimi në fjalë, një studim retrospektiv, zbuloi se aspirina mund të veprojë si një agjent mbrojtës kundër CRC-së duke përmirësuar vigjilencën imunitare.
Për të shqyrtuar efektet e përdorimit të rregullt të aspirinës në CRC, studiuesit morën mostra të indeve nga gjithsej 238 pacientë që i ishin nënshtruar një operacioni për CRC midis viteve 2015–2019, nga të cilët 12% ishin përdorues të rregullt të aspirinës. Duke krahasuar të dhënat midis përdoruesve të rregullt të aspirinës dhe atyre që nuk përdornin aspirinë, të parët treguan më pak raste të limfomave sekondare dhe një fluks më të shtuar të qelizave imunitare në tumor.
Analiza e ekspresionit të ARN-së mesazhere të gjeneve të lidhura me mbikëqyrjen imunitare në linjat qelizore të CRC-së, të nxjerra nga baza publike e të dhënave të depozituara në Gene Expression Omnibus (GEO) (GSE76583), tregoi ekspresion të shtuar të proteinës CD80 në qelizat imunitare. Kjo proteinë është vërtetuar se rrit aftësinë e sinjalizimit të qelizave imunitare, duke i mundësuar ato të lajmërojnë qelizat e tjera imunitare për praninë e antigjeneve specifike të tumoreve. Përveç këtyre zbulimeve, studiuesit identifikuan shprehje të shtuar të proteinës CD80 në indet rektale të shëndetshme tek përdoruesit e rregullt të aspirinës, duke theksuar vigjilencën e përmirësuar imunitare në këtë grup.
Pavarësisht nga gjetjet premtuese të këtij studimi, autorët e studimit theksojnë se, për shkak të natyrës së përthithjes përgjatë zorrës dhe rektumit, “koncentrimi i aspirinës së administruar në mënyrë orale mund të jetë shumë më i ulët se në pjesën tjetër të zorrës së trashë. Prandaj, nëse duam të përfitojmë nga efektet e saj kundër CRC-së, duhet të mendojmë se si të sigurojmë që aspirina të arrijë në traktin kolorektal në doza të mjaftueshme për të qenë efektive.”
Ky studim përfaqëson një hap të rëndësishëm në të kuptuarit të kancerit kolorektal, parandalimit dhe trajtimit të tij. Aspirina përdoret zakonisht për lehtësimin e inflamacionit dhe, në parandalimin e eventeve të ndryshme kardiovaskulare, por tashmë ajo ka një përdorim potencial terapeutik në trajtimin e CRC-së. Për më tepër, mund të përfaqësojë një medikament të mundshëm parandalues tek ata që janë në rrezik më të madh për të zhvilluar CRC.







Lini një koment