Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri tek gratë në mbarë botën. Shumica e vdekjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme.
Shkaku kryesor i gjendjes prekanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë tipe virusi të papilomës humane (HPV). Diçka kjo tërësisht e parandalueshme nëse zbatohen politikat e duhura të parandalimit.
HPV është infeksioni më i zakonshëm që merret gjatë marrëdhënieve seksuale, zakonisht në fillimet e jetës seksuale. Në shumicën e grave dhe burrave që infektohen me HPV, këto infeksione zhduken vetvetiu. Një pakicë e infeksioneve HPV vazhdojnë të qëndrojnë; te gratë kjo mund të çojë në fazën prekanceroze të qafës së mitrës, që nëse nuk trajtohet, mund të përparojë në kancer.
Detektimi i hershëm përmes depistimit të të gjitha grave të grupmoshës target, i ndjekur nga trajtimi i lezioneve prekanceroze te zbuluara, mund të parandalojë pjesën më të madhe të neoplazive të qafës së mitrës.
Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?
Cerviksi është pjesa e poshtme e uterusit ku takohet me vaginën. Kanceri i qafës së mitrës (kanceri i cerviksit) ndodh kur qelizat normale të cerviksit ndryshojnë në qeliza anormale dhe rriten përtej kontrollit. Në shumica e pacientëve, kur kanceri i cerviksit zbulohet herët, prognoza e sëmundjes është relativisht shumë e mirë.
Cilat janë simptomat?
Kanceri i cerviksit mund të mos jap asnjë simptomë në fillim. Kur shkakton simptoma, mund të japë gjakrrjedhje ose hemorragji që ndodh:
- midis cikleve menstruale (që do të thotë se hemorragjia ndodh kur ju nuk jeni me cikël menstrual)
- pas marrëdhënieve seksuale
- pas menopauzës
Këto simptoma mund të shkaktohen edhe nga situate jo malinje. Por nëse keni hemorragji vaginale në këto situata, duhet të konsultoheni me gjinekologun.
Si trajtohet kanceri i qafës së mitrës?
Trajtimi i saktë është i lidhur ngushtësisht me stadin e sëmundjes, moshën tuaj dhe sëmundjet shoqëruese. Gjithashtu trajtimi varet edhe nga dëshira juaj për një shtatëzani të ardhshme.
Kanceri i qafës së mitrës mund të trajtohet në mënyra të ndryshme:
- Kirurgji: Disa raste të kancerit të cerviksit trajtohen me kirurgji për të hequr masën tumorale. Modalitetet e ndryshme kirurgjisë përfshijnë:
- Heqjen e cerviksit, mitrës dhe pjesën e sipërme të vaginës. Ky intervent quhet histerektomi radikale.
- Heqje e të gjithë ose një pjese të cerviksit, por duke lënë mitrën. Ky intervent kryhet vetëm në situata specifike.
- Radioterapia – Trajtimi lokal me rrezatim.
- Kimioterapia – Trajtim sistemik ku përdoren barna për të “vrarë” qelizat kanceroze ose për të frenuar rritjen e përhapjen e tyre. Pacientet me kancer të cerviksit zakonisht kryejnë Radio-Kimioterapi konkomitante pra trajtim me rreze së bashku me kimioterapi në të njëjtën kohë.
A ekziston një test depistues për kancerin e qafës së mitrës?
Po. Ka dy teste që vlerësojnë ose depistojnë kancerin e qafës së mitrës dhe ato janë:
- Pap test
- HPV test
Për të dy testet, mjeku juaj do të bëj një vizitë gjinekologjike ku do të inspektojë vaginën tuaj me një pajisje që quhet “spekulum”. Ata përdorin edhe nje furçë të vogël për të mbledhur likidin prej cerviksit.
Për Pap Testin, mjeku analizon likidin vaginal në mikroskop për të parë praninë e qelizave anormle.
Për testin e HPV-së, likidi testohet në laborator për të evidentuar praninë e virusit. Në varësi të moshës tuaj dhe testimeve të kryera në të kaluarën, mjeku mund t’ju rekomandoj kryerjen e vetëm Pap test, HPV test ose të dyja së bashku.
Nëse rezulatet dalin jashtë normës, mjeku do t’ju ndjekë më tej me një ekzaminim të quajtur kolposkopi. Për këtë ekzaminim, ai përdor lente zmadhimi të quajtur kolposkop për të inspektuar cerviksin tuaj. Më pas kryhet një biopsi. Kjo përfshin heqjen e një pjese të vogël të dyshimtë të indit të qafës së mitrës.
Ndonjëherë mjekët zbulojnë qeliza jo-kancerogjene në cerviks, të cilat janë anormale dhe kanë një probabilitet të lartë për tu kthyer në malinje. Nëse keni këto qeliza “pre-kanceroze”, mjeku juaj mund t’i heqi për të parandaluar kthimin e tyre në kancer.
A mund të parandalohet kjo sëmundje?
Gati të gjitha neoplazitë e qafës së mitrës shkaktohen nga infeksioni me virusin HPV, i cili mund të përhapet nga kontakti me lëkurën dhe marrëdhëniet seksuale. Vaksina që parandalon infektimin me HPV tanimë është e gjendshme në treg.
Vaksinimi kundër HPV rekomandohet të kryhet në moshat 11-12 vjec, por mund të kryhet edhe në fëmijët e moshën 9 vjeç. Të gjithë paraadoleshëntët duhet të vaksinohen kundër HPV, kështu do të jenë të mbrojtur nga infeksionet e HPV-së të cilat mund të shkaktojnë disa lloje kanceri në moshën adulte.
Së fundmi, në Shqipëri është aprovuar vaksina 4-valente kundër HPV-së për vajzat e moshësh 13 vjeçe, e cila mund të aplikohet në qëndrat shëndetësore përkatëse, si pjesë e kalendarit të vaksinimit.
Në sistemin shëndetësor privat, mund të aplikohet vaksina 9-valente, Gardasil-9 sipas rekomandimeve për çdo moshë në vajza dhe djem.
Shtatëzania në të ardhmen
Nëse dëshironi një shtatzani të ardhshme, bisedoni me mjekun tuaj përpara fillimit të trajtimit. Në varësi të llojit të trajtimit, mund të jetë e mundur që të mbeteni shtatzanë pas trajtimit për kancer të qafës së mitrës.
Nëse dëshironi një shtatzani, mjeku do t’ju rekomandoj të prisni 6 – 12 muaj pas përfundimit të trajtimit tuaj për të tentuar një shtatzani. Kjo sepse trupi juaj e ka të nevojshme që të rekuperoj.
Nëse i nënshtroheni histerektomisë, ose disa lloje kimioterapish ose trajtimi me rreze, mund të mos jetë e mundur një shtatzani në të ardhmen tuaj. Nëse keni nevojë që të kryeni një nga këto modalitete trajtimi, mjeku juaj duhet të diskutojë rreth problematikës së fertilitetit me ju.
Trajtimi për kancer të qafës së mitrës nënkupton ndërmarrjen e një seri vendimesh, si p.sh. lloji i kirurgjisë që do t’i nënshtroheni.
Gjithmonë informoni mjekun tuaj si ndiheni rreth trajtimit të propozuar. Kurdoherë që ju propozohet një trajtim pyesni:
- Cilat janë avantazhet e këtij trajtimi? A më ndihmon ky trajtim të jetojë më gjatë? A do të reduktojë ose parandalojë simptomat?
- Cilat janë disavantazhet e këtij trajtimi?
- A ka opsione të tjera terapeutike?
- Çfarë ndodh nëse e refuzoj këtë trajtim?







Lini një koment