Ushqyerja enterale dhe paraenterale ne trajtimin paliativ

Ndër problematikat më të hasura kur flasim për trajtimin paliativ është edhe ushqyerja. Ky shqetësim mund të vij sepse pacienti ka vështirësi për të ngrënë apo përtypur, nuk përmbush të gjitha nevojat e tij per lëndë ushqyese ose ka probleme me traktin gastrointestinal. Për rrjedhojë ai do të ankohet për lodhje trupore, pafuqi, rënie në peshë dhe mjeku mund t’ju rekomandoj metoda alternative ushqyerje si ajo enterale ose parenterale.

Çfarë është ushqyerja enterale?

Ushqimi enteral i referohet çdo metode të të ushqyerit që përdor traktin gastrointestinal për të dhënë ushqim dhe kalori. Përdorimi i traktit gastrointestinal është më afër normales dhe ndihmon sistemin imunitar, ka kosto më të ulët dhe ka më pak komplikacione, veçanërisht kur flasim për infeksione.

Indikacionet:
  • Anoreksi e zgjatur,
  • Gjëndje komatoze
  • Kequshqyerje e rëndë
  • Insuficienca hepatike,
  • Pamundësi për tu ushqyer për shkak të traumave të kokës apo qafës etj
Cilat pajisje përdoren për ushqyerjen enterale?
  • Sonda nazo-gastrike (SNG) – për kohë të shkurtër (më pak se 6 javë)
  • Sonda oro-gastrike – për kohë të shkurtër
  • Sonda nazo-enterike (SNE) – për kohë të shkurtër
  • Sonda oro-enterike (post-pylorike) – për kohë të shkurtër
  • Gastrostomia – mund të vendoset radiologjikisht, me endoskopi ose me kirurgji. Për kohë të gjatë (më tepër se 6 javë)
  • Jejunostomia – mund të vendoset radiologjikisht, me endoskopi ose me kirurgji. Për kohë të gjatë
Cila është mënyra e marrjes?
  • Në pozicion gjysmë të ulur: busti i ngritur 30° – 45°. Ky pozicion duhet të mbahet edhe pas përfundimit të dhënies së dietës për të paktën 30 minuta.
  • Shtrirë në anë tek pacientët që nuk mund të ngrihen.
  • Në këmbë ose ulur.
Mënyra e dhënies

Mund të jetë e vazhdueshme, me ndërprerje ose ciklike (12-18 orë). Boluset përdoren vetëm për infuzionet në stomak dhe jepen me shiringe. Shpejtësia e infuzionit nuk duhet t’i kalojë 200 ml/h në stomak, 150 ml/h në jejunum, 60 ml/h në ileum.

Cilat janë komplikacionet e mundshme nga ushqyerja enterale?

Komplikacionet përfshijnë:

  1. Aspirimin
  2. Çrregullim të elektroliteve
  3. Hiperglicemi
  4. Nauze dhe të vjella
  5. Konstipacion
  6. Acarim të hundës ose fytit, sinuzite dhe ulçerime të laringut ose ezofagut në rastet kur përdoret SNG apo SNE           
  7. Bllokim ose spostim të tubave të gastrostomive apo jejunostomive dhe infeksion të plagëve

Sonda për ushqim duhet të lahet me solucion fiziologjik:

  • në përfundim të dhënies së dietës
  • gjatë dhënies së dietës
  • përgjatë ditës, edhe nëse dieta nuk është duke u kryer çdo 4 orë

Nëse pacienti është duke marr barna nga goja:

  • tabletat duhet të jenë të thërrmuara
  • ushqyerja enterale të ndërpritet para dhënies së barnave
  • duhet të laget sonda para dhe pas dhënies së  medikamentit me 10 – 20 ml ujë

Çfarë është ushqyerja parenterale?

Ushqyerja parenterale është një mënyrë ushqyerje që lejon marrjen e nutrientëve duke i bërë “bypass” sistemit tonë digjestiv. Pacientët të cilët kanë probleme me traktin GI qoftë të përkohëshme apo permanente, marrin ushqim në rrugë venoze nëpërmjet një kateteri venoz.

Ushqerja parenterale mund të jetë:

  • e pjesshme (partial parenteral – PPN) siguron vetëm një pjesë të nevojave ushqimore ditore, duke plotësuar marrjen nga goja. Pacientët e hospitalizuar mund të trajtohen me sol. glukoze, aminoacide (Aminoven) ose lipide (Intralipid).
  • e plotë (total parenteral – TPN) plotëson të gjitha kërkesat ushqimore ditore. Shembull: Kabiven 1440 ml.

TPN mund të jepet në kushte spitalore ose në shtëpi. Për shkak se solucionet TPN janë të përqendruara dhe mund të shkaktojnë trombozë të venave periferike, zakonisht kërkohet një kateter venoz central. Ndërkohë që për PPN mund të përdoret nje akses venoz periferik.

Kur indikohet ushqyerja parenterale e pjesshme?

PPN aplikohet përkohësisht tek pacientët të cilët kanë nevojë për një boost kalorik përpara se të kalojnë në një zgjidhje afatgjatë – ose ushqyerje enterale ose gradualisht të rinisin ushqyerjen nga goja.

Përgjithësisht PPN jepet tek pacientët të hospitalizuar për një kohë të gjatë që kanë tendencë ndaj kequshqyerjes.

Kur indikohet ushqyerja parenterale e plotë?

Mund të nevojitet TPN kur sistemi juaj digjestiv nuk është funksional ose keni një sëmundje gastrointestinale që kërkon pushim të plotë. Indikacionet përfshijnë:

  1. Kirurgjitë abdominale
  2. Iskemi intestinale
  3. Obstruksion intestinal
  4. Ileus
  5. Hemorragji gastrointestinale
  6. Enterit nga rrezatimi
  7. Enterokolit nekrotizant
  8. Diarre e zgjatur
  9. Sindroma e zorrës së shkurtër për shkak të operacionit etj

Cilat janë komplikacionet e mundshme nga ushqyerja parenterale?

Komplikacionet përfshijnë:

  1. Infeksione
  2. Risk për tromboza
  3. Atrofi të traktit gastrointestinal
  4. Çrregullim të sheqerit në gjak
  5. Sëmundje hepatike të lidhur me ushqyerjen parenterale (PNALD)
  6. Demineralizim të kockave (osteoporozë ose osteomalaci)
  7. Probleme me fshikzën e tëmthit (kolecistën)

Rekomandohet:

  • Monitorim i elektroliteve në gjak, azotemia dhe creatinina – për të parandaluar dehidrim apo mbihidrim
  • Monitorim i sheqerit në gjak – për të parandaluar hipergliceminë apo hipogliceminë
  • Monitorim i niveleve të mineraleve – për screening të defiçiteve
  • Monitorim të indekseve hepatike – aminotrasferazat dhe bilirubina

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna