Studime të ndryshme epidemiologjike kanë identifikuar diabetin si një faktor risku për kancerin kolorektal (CRC). Mekanizmat e mundshëm fizpatologjikë të kësaj lidhje përfshijnë hiperinsulineminë, IGF, hipergliceminë, inflamacionin e nxitur nga disfunksioni i indit dhjamor, çrregullime të motilitetit gastrointestinal dhe dëmtimi i sistemit imunitar.
Studime të ndryshme kanë treguar se diabeti (DM2) ndikon në mënyrë negative në prognozën e pacientëve me CRC.
Cila është incidenca në botë për kancerin kolorektal?
Në Shqipëri, kanceri kolorektal është kanceri i 5-të më i shpeshtë, ku haset te burrat me 211 raste në vit dhe 177 raste tek femrat.
Në botë, CRC është kanceri i tretë më i shpeshtë në termat e incidencës (10.2%) dhe shkaku i dytë i vdekjeve të lidhura me kancerin (9%). Pritet që deri në vitin 2035 numri i personave të prekur nga CRC të kapi shifrën 2.5 milion. Vëndet më të zhvilluara kanë shkallë të lartë incidence të CRC krahasuar me vëndet në zhvillim, edhe pse kjo sëmundje është duke u diagnostikuar gjithnjë e më shumë edhe në vendet në zhvillim. Në shumicën e rasteve te CRC-së, transformimi nga një polip në një kancer, vjen nga inaktivizimi i gjeneve supresore të tumorit dhe aktivizimi i onkogjeneve dhe kjo ndodh për afërsisht 10 – 15 vite. Përveç faktorëve të trashëgimisë, faktorët ambientalë, të tillë si obeziteti, konsumi i tepërt i mishit të kuq, alkooli, duhanpirja, janë parë si shkaktarë të mundshëm të CRC.
Pacientët me diabet tipi 2 kanë një risk të rritur 47% për të zhvilluar CRC krahasimisht me personat pa diabet. Studimi kohort, i publikuar në Jama Network Open, në 15 Nëntor 2023, sugjeron se depistimi i rregullt për CRC duhet të integrohet në kujdesin shëndetësor të ofruar për pacientët me diabet tipi 2.
A ka studime rreth lidhjes së mundshme mes tyre?
Përgjigjia është PO.
Studimet epidemiologjike kanë treguar mbi një lidhje midis diabetit tipi 2 dhe riskut të rritur për CRC. Lidhja mund të shpjegohet me mekanizmat biologjikë si hiperglicemia dhe hiperinsulinemia.
- Hiperglicemia mund të mbështes tumorogjenezën nëpërmjet marrjes së glukozës për të suportuar proliferimin qelizor.
- Hiperinsulinemia mund të rris riskun për CRC duke lehtësuar rikapjen e glukozës në qelizat tumorale dhe duke bashkëvepruar me receptorët insulinik për të aktivizuar sinjalet proliferative.
Cilat janë udhëzimet për testet e depistimit?
Udhëzimet aktuale sugjerojnë që shumica e njerëzve duhet të fillojnë depistimin e CRC në moshën 45 vjeçare. Nga raportimet në vende të ndryshme të botës, është parë se në SHBA për vitin 2021, depistimi për kancerin kolorektal ishte në nën 60%. Ndërsa në Evropë, numri i depistimeve është edhe më i ulët se në SHBA, edhe pse me shumë variacion ndër shtetet evropiane. Pothuajse 50% e njerëzve të grupmoshës 50 – 74 vjeç referojnë se nuk i janë nënshtruar kurrë asnjë lloj kontrolli depistues për CRC, duke filluar nga 94% në Bullgari në 17.4% në Danimarkë.







Lini një koment