Ekspozimi ndaj diellit gjate trajtimit per kancer

Ekspozimi ndaj rrezeve të diellit gjatë verës mund të duket si një metodë relaksuese për të hequr mendjen nga sëmundja juaj apo jo? Por si ndikon dielli nëse jeni duke marrë trajtim për kancerin? Në fakt, vitamina D e prodhuar nga ekspozimi i moderuar (dhe i sigurt) ndaj diellit mund të lidhet jo vetëm me një risk të reduktuar për të zhvilluar kancer, por përmirëson edhe mbijetesën nga disa tipe kanceri.

Hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm është të dini nëse medikamentet tuaja të kimioterapisë mund të rrisin mundësine e një djegie nga dielli. Në keto raste, duhet theksuar fakti që aplikimi i kremit mbrojtës të diellit nuk është e mjaftueshme.

Çfarë është fotosensitiviteti?

Sensitiviteti nga ekspozimi ndaj diellit, i njohur si fotosensitivitet ose fototoksicitet, është një prirje ndaj djegies nga dielli më e lehtë se zakonisht. Shumë reaksione fotosensitiviteti të lidhura me kimiopreparatet janë fototoksike. Në një reaksion fototoksik, barnat si kimiopreparatet mund të përthithin  rrezatimet ultraviolet. Kjo përthithje e rrezeve UV shkakton një ndryshim në përbërjen kimike të medikamentit, i cili emeton energji dëmtuese për lëkurën.

Cilat janë kimiopreparatet që shkaktojnë fotosensitivitet?

Pothuajse çdo medikament kimioterapie mund t`ju bëj më të ndjeshëm ndaj diellit. Është shumë e rëndësishme të komunikohet me onkologun rreth preparateve specifike që po përdoren në kurën tuaj. Gjithashtu kombinimi i barnave të ndryshme mund të rrisi riskun më tepër sesa një medikament i vetëm. Disa kimiopreparate që mund të shkaktojnë fotosensitivitet janë:

  • 5-Fluorouracil (5-Fu)
  • Methotraxate
  • Dacarbazine (DTIC)
  • Vinblastine
  • Docetaxel (Taxoter)
  • Doxorubicina (Adriamycin)
  • Etoposide
  • Gemcitabine (Gemzar)

Fatmirësisht, kjo mbindjeshmëri ndaj diellit largohet pas përfundimit të trajtimit me kimioterapi. Disa medikamente jo-kemioterapeutike që mund të kenë një efekt shtesë me kimiopreparatet duke shkaktuar fotosensitivitet përfshijnë:

  • Antibiotikët, si Cipro (ciprofloxacin), Levaquin (levofloxacin), tetraciklinat, Doxyciklina dhe Septra ose Bactrim (sulfamethoxazole-trimethoprim)
  • Diuretikët si Lasix (furosemide) dhe Hydrodiuril (hydrochlorothiazide)
  • Benadryl (diphenhydramine)
  • Barna kardiake si diltiazem, quinidine, amiodarone dhe Procardia (nifedipine)
  • Antidepresivët si Tofranil (imipramine) dhe Norpramin (desipramine)
  • Barnat antidiabetike si Micronase (glyburide)
  • Antiinflamatorët jo-steroid (AIJS) si Aleve (naproxen) dhe Feldene (piroxicam)

Ekspozimi ndaj diellit dhe radioterapia

Është e rëndësishme të mos harrohet që kimioterapia nuk është i vetmi trajtim që mund të rris riskun për djegie ndaj diellit. Radioterapia, një tjetër modalitet i trajtimit të kancerit, rrit riskun per hipersensitivitet ndaj diellit. Me radioterapinë, një predispozitë për tu djegur ndodh fillimisht në regjionet e trupit që po kryhet trajtimi, por ndryshe nga kimioterapia, kjo predispozitë ndaj djegies mund të zgjasi për vite pas përfundimit të trajtimit. Nëse jeni duke kryer radioterapi, duhet të merrni në konsideratë mbrojtjen ndaj diellit në një plan afatgjatë.

Kur nisin të shfaqen simptomat e fotosensitivitetit?

Reaksionet e fotosensitivitetit mund të ndodhin menjëherë pas ekspozimit në diell ose mund të mos jenë të dukshme për disa orë pasi të jeni kthyer në shtëpi. Nëse nuk dalloni ndonjë skuqje kur jeni në diell, aplikoni mbrojtës ndaj diellit dhe rrini në hije.

Këshilla për mbrojtje nga ekspozimi ndaj diellit:

  • Shmagni ekspozimin ndaj diellit në mes të ditës. Kufizoni kohën në diell nga ora 10:00 – 15:00 kur rrezet e diellit janë më shumë të forta.
  • Pyesni onkologun tuaj se cili krem dielli rekomandohet. Disa kremra kundër diellit funksionojnë më mirë se të tjerë dhe kimikatet në disa prej tyre mund të jenë irritues në lëkurën tuaj të ndjeshme. Jini të kujdesshëm të përzgjidhnni një krem dielli me “spektër të gjerë” që mbron si ndaj rrezeve UVA dhe ndaj atyre UVB.
  • Nëse lëkura juaj është e ndjeshme mund t’ju nevojitet të përdorni një bllokues të diellit. Sunblocks që janë efektivë përfshijnë oksidin e zinkut dhe dioksid titanium. Ato janë opak dhe disa njerëz hezitojnë që të përdorin të tilla produkte.
  • Mbulohuni! Mos u mbështesni vetëm tek kremrat, por përdorni edhe kapele plazhi, bluza/këmisha për të mbuluar zona delikate të trupit tuaj.
  • Shfrytëzoni hijen! Gjeni një vend nën hijen e një peme ose çadre.
  • Mos harroni buzët tuaja! Kremrat e diellit të krijuara posaçërisht për buzët janë përgjithësisht të sigurta edhe nëse gëlltiten, ndaj mos hezitoni.
  • Mos harroni sytë tuaj! Mbani syze dielli me mbrojtje UV.
  • Mos harroni të mbroni kokën tuaj! Duke qënë se një pjesë e mirë e kimiopreparateve japin rënie të flokëve, shallet në kokë janë zgjedhja e duhur, sidomos kur mbajtja e parukeve mund të jap tëpër vapë në diell.
  • Shmangni solaret! Jo vetëm që solaret mund t’ju shkaktojnë djegie, por ato rrisin riskun për të zhvilluar kancer të lëkurës.

Kini parasysh se mund të reagoni ndryshe ndaj diellit gjatë kohës që jeni duke bërë kimioterapi krahasuar me më para. Nëse më përpara merrnit ngjyrë lehtësisht, tanimë ju mund të digjeni e dëmtoheni nga ekspozimi në diell.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna