Dismenorrea primare është një çrregullim i zakonshëm i ciklit menstrual. Pavarsisht se nuk është i rrezikshëm për jetën, ndikon në cilësinë e jetës së femrave.
Dismenorrea primare përbën mbi 90% të rasteve dhe shfaqet në mungesë të sëmundjeve të tjera. Ekziston edhe forma dytësore që shkaktohet nga një sëmundje e organeve riprodhuese, si endometrioza, PCOS. Dismenorrea karakterizohet nga dhimbje spazmatike në regjonin hipogastrik dhe lumbar. Ato mund të zhvillohen ndërmjet, para ose gjatë menstruacioneve. Pacientet mund të përjetojnë deri në gjendje të fikti. Sipas studimeve epidemiologjike, dismenorrea primare ndodh në 20-90% të grave.
Pse ndodh dhe si shfaqet dismenorreja?
Studimet e mëparshme janë marrë kryesisht me hulumtimin e biomarkerëve të menstruacioneve. Dismenorrea shoqërohet me ndryshime të substancave hormonale dhe me grumbullim të acideve yndyrore në membranat qelizore. Një ndryshim i qartë metabolik është vënë re midis pacientëve me dismenorre dhe atyre pa atë. Duke krahasuar biomarkerët e dismenorresë midis menstruacioneve dhe regresionit luteal, u zbulua se pacientët me dismenorre primare preken nga shqetësimet në rrugët metabolike steroide gjatë periudhës menstruale dhe fazës së regresionit luteal.
Dismenorrea primare shkaktohet nga teprica e prostaglandinës. Prostaglandinat janë acide yndyrore të ngjashme me hormonet që dërgojnë sinjale dhimbjeje në tru. Këto prostaglandina shtesë shkaktojnë si kontraktimet e vogla të muskujve në murin e mitrës. Po ashtu japin edhe simptoma gastrointestinale që shoqërojnë dismenorrenë.
Dismenorrea mund të shoqërohet me një sërë simptomash. Te tilla janë fryrje, të përziera, të vjella, dhimbje koke, dhimbje shpine dhe diarre.
Si ta trajtojmë?
Përpara se të fillohet terapi për trajtimin e Dismenorresë duhen vlerësuar shkaqet e mundshme. Dallimi i parë duhet bërë midis formës primare dhe sekondare. Në format sekondare, trajtimi varion sipas shkakut. Nëse konfirmohet dismenorreja primare, trajtimi bëhet në bazë të simptomave.
Qëllimi kryesor i trajtimit të dismenorresë është t’u sigurojë femrave lehtësim të dhimbjes që i lejon ato të kryejnë aktivitetet e tyre të zakonshme. Terapitë farmakologjike si dhe ato jo-farmakologjike janë opsione të mundshme për menaxhimin e saj. Terapitë e linjës së parë të rekomanduara janë antiinflamatorët jo steroid dhe kontraceptivët hormonalë, pasi ato pengojnë prodhimin e prostaglandinave, të cilat lidhen drejtpërdrejt me dhimbjen menstruale dhe simptomat sistemike të lidhura me të. Terapia hormonale mund të ndihmojë në rregullimin e ciklit menstrual dhe të zvogëlojë ose eliminojë ngërçet nga dismenorrea primare brenda gjashtë muajve deri në një vit të përdorimit.
Përdorimi i kompresave ngrohëse dhe ushtrimet e rregullta fizike duhet të inkurajohen për shkak të efikasitetit të tyre të provuar dhe kostos së ulët. Përsa i përket dietës rekomandohen marrja e vitaminave B, D, E dhe omega 3 si shtesa ushqimore ose suplemente. Megjithatë, nuk ka prova të mjaftueshme për efikasitetin e tyre të plotë në lehtësimin e simptomave.
Stimulimi elektrik nervor transkutan (TENS) është një modalitet trajtimi joinvaziv që është vërtetuar efektiv në reduktimin e dhimbjeve menstruale.
Në raste të rralla, ndërhyrjet kirurgjikale janë propozuar për pacientet me dismenorre të rëndë, të cilat nuk i përgjigjen modaliteteve të trajtimit konvencional.







Lini një koment