Shumë pacientë me kancer rekti lokalisht të avancuar mund të shmangin radioterapinë dhe të trajtohen vetëm me kimioterapi dhe kirurgji. Të dhënat vijnë nga studimi PROSPECT i prezantuar në ASCO 2023.
Këto të dhëna janë shumë të rëndësishme për disa arsye. E para, tregojnë për mundësinë e trajtimit kurativ të kancerit të rektit lokalisht të avancuar edhe në struktura ose vende ku nuk ka akses ndaj radioterapisë dhe së dyti, me nurmin e rritur të pacientëve me moshë të rë, jep mundësinë e ruajtjes së fertilitetit. Por mbi të gjitha, me shmangien e radioterapisë pa kompromentuar efikasitetin e trajtimit, pacientët përfitojnë një cilësi më të mirë të jetës me më pak efekte anësore.
Si trajtohet aktualisht kanceri i rektit lokalisht i avancuar?
Sipas protokolleve të trajtimit, aktualisht kanceri rektal lokalisht i avancuar trajtohet me radioterapi shoqëruar me kimioterapi sensitizuese me fluoropirimidina, pasuar me kirurgjinë dhe më pas me rreth 16 javë kimioterapi adjuvante.
Efektet e trajtimit janë të mira, por trajtimi është i gjatë dhe me efekte anësore shpesh të lidhura me rrezatimin, si çrregullime të lidhura me traktin intestinal dhe urinar, disfunksion seksual, infertilitet dhe menopauzë e hershme.
Infertiliteti dhe menopauza po kthehen në efekte anësore të rëndësishme, pasi në vitet e fundit më shumë pacientë nën 50 vjeç po diagnostikohen me kancer kolorektal.
Studimi PROSPECT
Studimi përfshiu 1128 pacientë me kancer rekti, të stadifikuar klinikisht si T2N+, T3N-, T3N+, por jo T4. Ata u ndanë në dy grupe, ku njëri grup u trajtua me kimioterapi dhe grupi tjetër me standardin e trajtimit, pra radioterapi + kimioterapi. Pas trajtimit, të gjithë pacientët iu nënshtruan kirurgjisë.
Në grupin e trajtuar me radioterapi + kimioterapi, doza e rrezatimit ishte 50.4 Gy në 28 fraksione shoqëruar me kimioterapi sensitizuese me 5-FU ose capecitabine.
Në grupin e trajtuar vetëm me kimioterapi, skema e përdorur ishte ajo mFOLFOX6 (oxaliplatin, Leucovorin, 5-FU).
Trajtimi pas operacionit me kimioterapi u rekomandua në të dy grupet e pacientëve, por nuk ishte i detyrueshëm.
Pas një periudhe ndjekjeje prej 58 muajsh, u pa se trajtimi me kimioterapi (KT) nuk ishte inferior ndaj trajtimit te kombinuar radioterapi + kimioterapi (KT+RT). Periudha e lirë nga sëmundja (DFS) në 5 vjet, në grupin e kimioterapisë u arrit në 80.8% të pacientëve krahasuar me 78.6% të pacientëve të trajtuar me KT+RT. Rekurrencat lokale deri në 5 vite nga trajtimi ndodhën në 1.8% të pacientëve të trajtuar me KT dhe në 1.6% të pacientëve të trajtuar me KT+RT.
12 muaj nga kirurgjia, pacientët e trajtuar me KT kishin më pak lodhje, neuropati dhe funksion më të mirë seksual, krahasuar me grupin e KT+RT.
Të dhënat nga studimi PROSPECT tregojnë se radioterapia mund të rekomandohet në mënyrë më selektive, pa kompromentuar efektet e trajtimit, në pacientët me kancer rekti lokalisht të avancuar me risk mesatar.
Studimi i plotë është publikuar në Qershor 2023 në The New England Journal of Medicine.







Lini një koment