Sindromi metabolik është një grumbullim i disa çrregullimeve, të cilat së bashku rrisin rrezikun e një individi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, rezistencë ndaj insulinës dhe diabet mellitus. Po ashtu favorizojnë komplikacione vaskulare dhe neurologjike si aksidenti cerebrovaskular.
Çrregullimi metabolik bëhet sindromë nëse pacienti ka tre nga të mëposhtmet:
- Perimetri i belit më shumë se 101 cm tek meshkujt dhe 88 cm tek femrat
- Trigliceridet në gjak 150 mg/dL ose më shumë
- Ulja e kolesterolit të ‘mirë’ (HDL) më pak se 40 mg/dL tek meshkujt ose më pak se 50 mg/dL tek femrat
- Glicemi esëll 100 mg/dL ose më shumë
- Vlerat e tensionit sistolik të gjakut 130 mmHg ose më i lartë dhe/ose diastolik 85 mmHg ose më i lartë
Faktorët kryesor të sindromit metabolik janë pesha e tepërt, mungesa e aktivitetit fizik dhe predispozita gjenetike. Thelbi i sindromit është një grumbullim jonormal indit dhjamor. Citokinat proinflamatore çlirohen nga ai dhe ndryshojnë përgjigjen e tij ndaj insulinës. Dëmtimi i rrugës së sinjalizimit, defektet e receptorit të insulinës dhe sekretimi i dëmtuar i insulinës mund të kontribuojnë në rezistencën ndaj insulinës.
Si ndikon në organizëm sindromi metabolik?
Sindromi metabolik ndikon negativisht në disa sisteme të trupit. Rezistenca ndaj insulinës shkakton dëmtime mikrovaskulare. Ato e predispozojnë një pacient për rezistencë vaskulare, hipertension dhe inflamacion të mureve të enëve të gjakut. Dëmtimi endotelial favorizon proçesin e aterosklerozës. Për më tepër, hipertensioni ndikon negativisht në disa funksione të trupit, duke përfshirë rritjen e rezistencës vaskulare dhe sëmundje strukturore të zemrës.
Historia dhe ekzaminimi fizik janë jetike për njohjen, trajtimin dhe parandalimin e sindromit.
Menaxhimi i sindromit metabolik
Menaxhimi duhet të synohet në trajtimin e kushteve që kontribuojnë në këtë sindrom. Kështu, faktorët e modifikueshëm si dieta dhe stërvitja duhet të theksohen te pacientët.
Sipas udhëzimeve më të fundit tensioni i gjakut në popullatën e përgjithshme duhet të jetë 140/90 mmHg dhe në pacientët me diabet mellitus, synimi është më pak se 130/80 mmHg.
Pacientët me hipertrigliceridemi (të përcaktuar si trigliceride më shumë se 150 mg/dL) duhet të vlerësohen. Trajtohet hipertrigliceridemia nëse trigliceridet janë mbi 500 mg/dl. Zakonsiht pacientët janë në terapi për menaxhimin e kolesterolit. Monitorimi i LDL- dhe HDL-Cholesterolit duhet të jenë prioritare në këta pacientë, veçanërisht nëse rezultati i rrezikut të sëmundjes aterosklerotike kardiovaskulare (ASCVD) është më shumë se 7.5%.
Obeziteti duhet të menaxhohet nga ekipi mjekësor ndërmjet kontrollit dietetik, aktivitetit fizik dhe vetëm në rast nevoje me mjete medikamentoze dhe/ose kirurgjikale. Pacientët me obezitet të rëndë mund të përfitojnë nga kirurgjia bariatrike. Kirurgjia bariatrike rekomandohet për pacientët me BMI≥ 40 kg/m2 ose për ata me BMI ≥ 35 kg/m2 dhe sëmundje të tjera shoqëruese. Pacientët duhet të kenë një monitorim afatgjatë pas operacionit për të shmangur komplikimet kirurgjikale, ushqimore dhe psikiatrike.
Menaxhimi i pacientëve me sindrom metabolik përfshin një ekip multidisiplinor me qëllim parandalimin dhe kurimin e tij.







Lini një koment