Kanceri i ovarit - Kontroversitetet e trajtimit

Kanceri i ovarit është shkaku kryesor i vdekjeve nga malinjancat gjinekologjike. Shumica e pacienteve me këtë sëmundje paraqiten ne stadet e avancuara me karcinomë seroze të gradës së lartë (HGSC). Aktualisht, çështjet në diskutim për trajtimin e kancerit të ovarit janë kirurgjia primare apo ajo citoreduktive e intervalit, kimioterapia intraperitoneale hipertermike, terapia mbajtëse, shtimi ose jo i bevacizumabit ne terapi dhe testet gjenetike somatike dhe germinale.

Vlerësimi fillestar

Një ndër mitet mbi kancerin e ovarit është se sëmundja është e heshtur pasi nuk jep simptoma në stadet e hershme. Por ne fakt shumë studime kanë treguar të kundërtën. Shumë gra kanë simptoma si fryrje barku, ngopje e shpejtë pas vakteve të lehta, dhimbje abdomino-pelvike, urinim i shpeshtë dhe konstipacion. Vlerësimi i këtyre simptomave është shumë i rëndësishëm nëse ato shfaqen disa herë gjatë muajit.

Testet imazherike luajnë një rol të rëndësishëm në diagnostikimin e kancerit të ovarit:

Eko transvaginale – në rastet kur dyshohet një masë në ovar.

Skaneri (CT) dhe MRI – janë të nevojshme për të kuptuar shtrirjen lokale dhe në distancë të sëmundjes.

Markuesit tumoralë (CEA, CA-125) – Rriten kryesisht në stadet e avancuara të sëmundjes.

Citoreduksioni primar vs citoreduksioni i intervalit

Kirurgjia citoreduktive është pjesë integrale e trajtimit të kancerit të ovarit. Citoreduksioni total, pra kur nuk mbetet sëmundje reziduale është i lidhur më efektet më të mira të trajtimit. Megjithatë, edhe sëmundja reziduale me më pak së 1 cm pas citoreduksionit ka treguar gjithashtu rezultate të mira të trajtimit. Kjo për shkak të principeve faramkologjike se sensitiviteti ndaj barnave citotoksike është më i lartë në tumoret e vegjël.

Koha optimale për të kryer citoreduksionin mbetet një kontroversitet në trajtimin e kancerit të ovarit. Citoreduksioni primar ose citoreduksioni i kryer para kimioterapisë është konsideruar si standardi i trajtimit për dekada me radhë. Ndërsa citoreduksioni i intervalit ose citoreduksioni i kryer pas disa cikleve kimioterapie është kthyer në një modalitet të shpeshtë trajtimi, pas disa studimeve që kanë treguar se rezultatet e trajtimit janë të ngjashme me atë të citoreduksionit primar.

Avantazhet e trajtimit neoadjuvant, ose të trajtimit me kimioterapi para kirurgjisë janë se rrit shanset për heqje të plotë të tumorit dhe ul riskun për komplikacione pas kirurgjisë.

Megjithatë, studime të ndryshme kanë treguar rezultate të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Aktualisht, është duke u kryer një studim – TRUST që po vlerëson mbijetesën e përgjitshme (OS) në pacientët që i nënshtrohen kirurgjisë citoreduktive primare ose asaj të intervalit.

Deri në të dhëna më të qartë, vendimi mbi kohën optimale të kryerjes së kirurgjisë merret duke u bazuar në disa karakteristike klinike të pacientit si:

  • Risku perioperator
  • Mundësia për të arritur citoreduksion të plotë ose më pak se 1cm

Shpesh, për shkak të limitimeve që kanë testet imazherike për vlerësimin e shtrirjes së sëmundjes, është shtuar në diagnostikë edhe laparoskopia për një vizualizim direkt të kavitetit abdominal, në mënyrë që të kryhet një vlerësim më i saktë mbi mundësinë e citoreduksionit të plotë.

Kimioterapia

Kirurgjia e citoreduksionit shoqëruar me 6 cikle Paclitaxel dhe Carboplatin është standardi i trajtimit të kancerit të ovarit që nga viti 1990. Përgjatë viteve, modifike të ndryshme të skemave të trajtimit janë studiuar por pa rezultate të kënaqshme.

Një ndër to është shtimi në terapi i kimioterapisë intraperitoneale. Por edhe pse disa studime fillestare treguan një përmirësim të mbijetesës së përgjithshme, studime të tjera më të reja nuk kanë treguar benefit në mbijetesë, krahasuar me standardin e trajtimit.

Roli i bevacizumabit

Bevacizumabi është një frenues i angiogjenezës, roli i të cilit në kancerin e ovarit është vlerësuar në dy studime të mëdha – ICON7 dhe GOG 218. Të dy studimet kanë treguar se bevacizumabi në trajtimin adjuvant (pra pas kirurgjisë), nuk ka treguar të përmirësojë mbijetsën e përgjithshme (OS) krahasuar me standardin e trajtimit. I vetmi nëngrup që pati benefit në OS ishin pacientet me sëmundje të stadit IV, sëmundje të stadit III të paoperueshme ose sëmundje e stadit III me citoreduksion jo optimal.

Testet gjenetike

Projekti i The Cancer Genome Atlas tregoi se rreth 17% e pacientëve me kancer ovari ishin mbartës të mutacioneve germinale në BRCA dhe se 3% e tyre kishin mutacionin somatik në BRCA, ndërsa 31% e tumoreve kishin alterime gjenetike të rekombinimit homolog (HR).

Identifikimi i pacientëve me mutacione germinale është i rëndësishëm pasi këto mutacione mund të kenë implikim në zhvillimin e tumoreve të tjera. Por mbi të gjitha testet gjenetike janë të rëndësishme për të përcaktuar nëse do të jetë i nevojshëm trajtimi mbajtës pas kirurgjisë dhe kimioterapisë.

PARP inhibitorët si terapi mbajtëse

Edhe pse shumica e pacientëve me kancer ovari arrijnë remision të plotë pas kirurgjisë dhe kimioterapisë, shumica e pacienteve kanë një rikthim të sëmundjes.

Kjo nxiti kërkimin e terapive mbajtëse pas kimioterapisë për të zgjatur remisionin dhe për të rritur mundësinë e shërimit. PARP inhibitorët janë shtuar si trajtim mbajtës në pacientët me mutacione BRCA ose HRD. Në një analizë të fundit të studimit SOLO-1 është parë se 67% e pacientëve nën trajtim me olaparib ishin gjallë 7 vite pas diagnostikimit, çka e bën inkorporimin në terapi mbajtëse të PARP inhibitorëve kyçe për rezultate më të mira të trjatimit.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna