Semaglutidi dhe agonistët e GLP-1 janë një kategori ilaçesh kundër diabetit të sheqerit. Ozempic (emri xhenerik: Semaglutid) është një ilaç i miratuar për trajtimin e diabetit të tipit 2 tek të rriturit. Ndihmon në përmirësimin e sheqerit në gjak dhe është vërtetuar se ul hemoglobinën e glukolizuar (HbA1C). Medikamentet e këtij grupi aktivizojnë receptorët e GLP-1 , një hormon proteinik me prejardhje nga zorrët. GLP-1 ul nivelin e sheqerit në gjak nëpërmjet stimulimit të insulinës nga pankreasi. Paralelisht ul nivelin e glukagonit, hormonit ‘kundërshtues’ të insulinës.

Pra, Ozempic nuk është insulin. Ai ndihmon në sekretimin e saj, por nuk ka strukturën dhe mekanizmin e veprimit të saj.
Medikamentet GLP-1 agonist janë vënë re se kanë si efekt të tyre, përveç ekuilibrimit të sheqerit, edhe uljen e peshës trupore. Për këtë arsye disa nga medikamentet e kësaj klase përdoren në trajtimin e obezitetit. I pari ishte Wegovy. Dhe aktualisht Ozempic po ndjek gjurmët e tij. Të dy këto medikamente janë semaglutide.
Mënyra e përdorimit
Agonistët e GLP-1 janë medikamente kryesisht injektabël. Ata funksionojnë si injeksione nën lëkurë (subkutan) me pena të parapërgatitura. Kjo formë ngjason me mënyrën e aplikimit të insulinës. Në 2019 është aprovuar edhe forma e parë tabletë e këtij grupi. Përshkak të përtithjes së pakët nga goja, forma tabletë ka nevojë për kujdes të veçantë. Tableta semaglutide orale duhet të merret 30 minuta para çdo ushqimi, ilaçi oral ose pije, me një gotë plotë uji. Format me injeksion ndahen në ditore dhe javore. Injeksionet një herë në ditë janë liraglutide dhe lixisenatide, ndërsa dulaglutide dhe semaglutide jepen një herë në javë. Eksenatidi dhe liksisenatidi me veprim të shkurtër duhet të jepen brenda 60 minutave pas ngrënies, ndërsa të gjithë të tjerët mund të jepen pa marrë parasysh vaktet.
Fillohet me dozë të vogël dhe rriten pas disa aplikimesh. Në rastin e Ozempic-ut fillohet me injeksione 0.25 mg në javë dhe rritet mbas disa javëve me 0.5 dhe 1 mg.
Efektet anësore
Si çdo preparat që ndikon në nivel hormonal dhe metabolik, edhe kjo klasë ka efekte të pritshme anësore. Më të shpeshtat janë lidhur me traktin intestinal. Të tilla janë ndjesi të vjelle, dhimbje barku, fryrje barku, diarre. Duke qënë ilaç kundër diabetit, mbart risk për hypoglicemi (rënie sheqeri). Pavarësisht se risku është i ulët. Exenatide gjithashtu ka një efekt anësor të rritjes së INR në pacientët që marrin warfarin. Dulaglutidi shoqërohet me aritmi.
Efektet të tjera anësore të raportuara përfshijnë pankreatitin,sëmundje të tëmthit (gur ose inflamacion), probleme të tiroides, risk i lartë për kancer të tiroides etj. Ndonëse të ralla, këto efekte duhen marrë në konsideratë në rast indikacioni për fillimin e terapisë me agonistët e GLP-1.
Kur nuk përdoren?
Të gjithë agonistët e receptorit GLP-1 janë kundërindikuar në pacientët me mbindjeshmëri (alergji) ndaj ilaçit. Ata janë të kundërindikuar tek fëmijët.
Nëse një pacient ka një histori të mëparshme të pankreatitit ose zhvillon pankreatit me këtë mjekim, përdorimi i tij duhet të ndërpritet.
Ato janë kundërindikuar në pacientët me një histori familjare të kancerit medular të tiroides ose pacientët me sindromën e Neoplazisë Multiple Endokrine të tipit 2 (MEN2).
Exenatide nuk duhet të përdoret në pacientët me sëmundje renale në fazën përfundimtare.
Agonistët e receptorit GLP-1 duhet të shmangen në pacientët me gastroparezë ose çrregullime inflamatore të zorrëve.
Ato duhet të përdoren gjithashtu me kujdes gjatë shtatzënisë.
Individët që përdorin këtë klas medikamentesh rekomandohet të monitorojnë vlerat e sheqerit si dhe funksionin e veshkës. Ata duhet të edukohen në lidhje me efektet e mundshme anësore. Për këtë arsye duhet të monitorohen për shenja dhe simptoma të pankreatitit, sëmundjeve të fshikëzës së tëmthit dhe simptomave të mundshme të tiroides.
Përdorimi i Ozempic-ut dhe klasës së tij duhet të realizohet nën mbikqyerje mjekësore.
- FDA aprovon kombinimin e ri në trajtimin e kancerit të gjirit

- Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual – po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

- Epoka e re e trajtimit të kancerit të gjirit metastatik HR-pozitiv

- Si ndihmon vlerësimi geriatrik në trajtimin e kancerit te të moshuarit

- Faktorët e riskut për kancerin e mushkërive: Jo vetëm duhani

- Atezolizumab me ctDNA: Drejt personalizimit të imunoterapisë në trajtimin e kancerit të vezikës








Lini një koment