Kanceri i mushkërive është një ndër llojet e kancerit që shkakton më shpesh metastaza në tru. Megjithatë, në vitet e fundit, ka një përmirësim të ndjeshëm të terapive të kancerit të mushkërisë, përfshirë rastet me metastaza cerebrale.
Kirurgjia
Kirurgjia është një modalitet i rëndësishëm për të vendosur diagnozën, maksimizuar rezeksionin e metastazave solitare dhe përmirësuar mbijetesën. Ofron shumë avantazhe nga strategjitë e tjera të trajtimit: jo vetëm për heqjen e tumorit por edhe të lidhura me eliminimin e shpejtë të edemës, çka ndikon në përmirësimin e simptomave neurologjike dhe uljen e dozës së kortikosteroideve.
Risku i kirurgjisë mund të reduktohet dhe deficitet neurologjike mund të minimizohen nëse:
- Bëhet një përzgjedhje adekuate e pacientëve
- Aplikohet mikrokirurgjia dhe kraniotomia me akses-minimal
- Kryhet mapping kortikal dhe kirurgjia zgjuar në rastet e tumoreve në zona kritike
Në shumë raste, shtimi i radioterapisë në gjithë trurin (WBRT) ose radiokirurgjisë sterotaktike (SRS) është thelbësore për të reduktuar rekurrencën e tumorit dhe për të rritur mbijetesën.
Roli në rritje i radioterapisë
Radiotereapia e trurit WBRT
Për dekada, WBRT ka qenë trajtimi standard për pacientët me metastaza në tru. Reth 70-90% e pacientëve kanë përmirësim të simptomave pas trajtimit por edhe toksicitet, përfshirë alopecinë, lodhje, eritema, dhimbje koke, otitis media, somnolencë dhe leukoencefalopati.
Mbi të gjitha, WBRT është e lidhur me rënie neurokonjitive, çka bëhet edhe më evidente kur pacientët jetojnë më gjatë se 1 vit. Risku mund të ulet me përdorimin e barnave (psh. memantina) ose rrezatimit të modifikuar si shmangia e hipokampit gjatë WBRT, megjithatë rreziku nga toksiciteti i vonë mbetet gjithmonë.
Për këtë arsye, roli i WBRT është zbehur në vitet e fundit. WBRT konsiderohet ende e nevojshme për trajtimin e sëmundjes leptomeningeale dhe për rastet e matastazave të shumta cerebrale, edhe pse numri i metastazve nuk është i mirë specifikuar. WBRT është një trajtim standard edhe për kancerin e mushkërisë me qeliza të vogla (SCLC), por të dhënat e fundit tregojnë se radiokirurgjia stereotaktike mund të jetë e mjaftueshmë në rastet e deri në 10 metastazave cerebrale.
Radiokirurgjia stereotaktike (SRS)
Radiokirurgjia stereotaktike ofron shumë avantazhe nga terapitë e tjera, përfshirë kostot më të ulëta, shmangien e anestezisë gjenerale dhe kirurgjisë. Është një procedurë minimalisht invasive ose ambulatore më kohë të shpejtë rikuperimi. Gjithashtu, ndryshe nga limitimet që sjellë kirurgjia e hapur, radiokirurgjia stereotaktike mund të trajtojë lezione më të vogla, më të thella dhe në zona më kritike.
Tashmë, SRS është një trajtim standard për metastazat cerebrale të vogla dhe është duke u përdorur gjithnjë e më shumë edhe në pacientët me deri në 15 metastaza cerebrale dhe lezione të mëdha. Gjithashtu, mund të përdoret si trajtim salvazhi për rekurrencat pas WBRT. Në terma të mbijetesës së përgjithshme dhe kontrollit lokal, është e krahasueshme me WBRT por ka më pak toksicitet.
Për metastazat e mëdha (>2cm), një seancë radiokirurgjie nuk është e mjaftueshme. Në këto raste rekomandohen trajtime të sekuencionuara, psh. 2 seanca SRS të kryera me distancë 1 mujore nga njëra-tjetra, etj. Në këto raste, trajtimi sistemik mund të aplikohet ndërmjet seancave.
Trajtimi sistemik i targetuar
Në vitet e fundit, trajtimi i kancerit të pulmonit ka ndryshuar ndjeshëm. Tashmë testimi molekular është kthyer në një gur themeli për vendosjen e terapisë.
Para vitit 2015, përdorimi i inhibitorëve të tirozin kinazës (TKIs) jepnin një kontroll të mirë sistemik të sëmundjes, por pak efekt në metastazat cerebrale. Nga viti 2015, TKIs me efekt në metastazat cerebrale janë kthyer si trajtim i linjës së parë. Tashmë kemi të dhëna qe mbështesin përdorimin e tyre edhe si trajtim adjuvant në tumoret EGFR – pozitive.
Si përdoren këto barna?
Në rastet e tumoreve EGFR ose ALK pozitive me metastaza cerebrale, mund të aplikohet terapia me TKIs dhe SRS. Osimertinib është trajtimi i linjës së parë në tumoret EGFR – pozitive dhe alectinib në tumoret ALK – pozitive.
Në rast të progresit të sëmundjes, për tumoret EGFR – pozitive, me dy ose më pak lezione cerebrale dhe kontroll të sëmundjes ekstrakraniale, vazhdohet trajtimi me osimertinib. Për progresin e sëmundjes në tumoret ALK – pozitive, alectinibi mund të zëvendësohet nga linja e dytë e trajtimit me lorlatinib, ose në mungesë të tij me kimioterapi.
Për pacientët me tumore pa mutacione “driver”, opsioni i trajtimit mbetet imunoterapia me inhibitorë të checkpoint (+/- kimioterapi) dhe SRS.







Lini një koment