Terapia androgjen deprivuese (ADT) është përdorur për shumë vite në trajtimin e kancerit të avancuar te prostatës dhe mbetet nje ndër shtyllat kryesore te trajtimit. Agonistët e receptorëve të hormonit luteinizues (LHRH) janë ndër barnat më të përdorura si ADT. Megjithatë, opsione më të reja , përfshirë antagonistë të receptorëve të hormonit të gonadotropinës (GnRH) si degarelix dhe relugolix, mund të jenë klinikisht më efikas për disa pacientë. Antagonistët e GnRH reduktojnë testosteronin në gjak më shpejt se agonistët e LHRH, pa shkaktuar një rritje fillestare të testosteronit.
Agonistët e LHRH përfshijnë barna si leuprolide, goserelin dhe triptorelin, të cilat administrohen në rrugë sub-kutane ose intra-muskulare. Këto barna stimulojnë receptorët e LHRH në qelizat Leydig në testikuj, duke shkaktuar rritje të përkohëshme të testosteronit. Supresioni i testosteronit (50 ng/dL) arrihet brenda 4-6 javëve nga fillimi i trajtimit.
Së fundmi janë zhvilluar edhe antagonistët e GnRH si degarelix dhe relugolix. Këto barna frenojnë sekretimin e testosteronit nga testikujt, duke u lidhur me receptorët e GnRH në gjendrën e hipofizës. Nuk shkaktojnë rritjen fillestare të testosteronit dhe niveli i kastracionit mund të arrihet brenda 2-3 ditëve. Relugolix ka një avanatazh tjetër, pasi mund të merret nga goja, duke sjellë një lehtësi të madhe për pacientët.
Evolucioni i terapive androgjen deprivuese – ADT
Historia e ADT në trajtimin e kancerit të avancuar të prostatës ka nisur në vitin 1941, kur Charles B. Huggins publikoi artikullin shkencor mbi efektet e kastracionit kirurgjikal (orkiektomisë) në kancerin e avancuar të prostatës. Huggins zbuloi se androgjenët, specifikisht testosteroni luan një rol të rëndësishëm në rritjen dhe progresin e kancerit të prostatës dhe se frenimi i testosteronit rrit mbijetesën në pacientët me kancer të prostatës. Për këtë zbulim, Huggins fitoi cmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1966.
Në vitin 1970, një tjetër cmim Nobel u fitua nga Andrew Schally për zbulimin e frenimit të testosteronit nga ekspozimi konstant ndaj LHRH. Ky zbulim coi në zhvillimin e agonistëve të LHRH, cka u kthye në një ndër modalitet kryesore të trajtimit të kancerit të avancuar të prostatës që nga viti 1990.
Pavarësisht suksesit të ADT, ato nuk janë pa efekte anësore. Ndër efektet anësore si pasojë e trajtimit me ADT janë disfunksioni seksual, afshe të nxehta, osteoporoza, sindromi metabolik, evente kardiovaskulare, depresioni dhe crregullime të gjumit.
Zhvillimi i agonistëve të LHRH dhe antagonistëve të GnRH shënuan një erë të re në menaxhimin e kancerit të avancuar të prostatës.
Studimi i fazës III, HERO tregoi një ulje të shpejtë të testosteronit (në nivel kastracioni) pas administrimit të dozës së parë orale të relugolix, nivel i ruajtur përgjatë gjithë trajtimit. Ndërsa trajtimi me agonistin e LHRL, leuprolide shkatoi një rritje fillestare të testosteronit, para arritjes në nivele të kastracionit. Efektet anësore ishin përgjithësisht të krahasueshme për të dy barnat, përvec eventeve kardiovaskulare, të cilat kishin një reduktim me 54% në pacientët e trajtuar me relugolix krahasuar me leuprolidin.
Progresi më i shpejtë në zhvillimin e ADT është vënë re pas vitit 2012, me shumë studime që kanë treguar përmirësimë të mbijetesës së përgjithshme (OS) në kancerin metastatik të prostatës kastracion-sensitiv.
E ardhmja duket shpresëdhënëse për pacientët me kancer të avancuar të prostatës nën trajtim me ADT.







Lini një koment