Sëmundja e syve nga tiroidja është një komplikacion i një patologjie autoimune të tiroides të quajtur Morbus Basedow ose Graves Disease. Quhet ndryshe orbitopati basedoviane.
Çfarë është Morbus Basedow?
Morbus Basedow është një sëmundje autoimmune e tiroides, në të cilën disa protein të prodhuara nga organizmi (antiRTSH) sulmojnë tiroiden dhe nxisin rritjen e saj në përmasa, si dhe stimulojnë prodhimin e hormoneve të kësaj gjendre. Ndërmjet këtyre proteinave te quajtur antitrupa, tiroidja në këtë sëmundje bëhet hiperprodhuese dhe i gjithë organizmi vuan pasojat e hipertiroidizmit.

Orbitopatia
Përveç gjendrës tiroide, anti receptorët prekin edhe regjonin e syve duke stimuluar rritjen dhe trashjen e muskujve orbital. Këta muskuj realizojnë lëvizjen e syve. Zmadhimi i tyre mund të çojë në pamundësi për të bërë lëvizjen e plotë, fryrjen e syve deri në ekspozim të orbitave (ekzoftalmi). Duke qenë se prekja ndodh në shumë struktura, emërtimi si sëmundje e syve nga tiroidja është më gjithëpërfshirës. Zakonisht shfaqet në të dy sytë njëkohësisht, me mbizotërim të njërit mbi tjetrin. Ka raste kur mund të jetë e njëanshme. Sëmundjet e syve kalojnë në dy faza: faza aktive ose inflamatore dhe faza e qëndrueshme. Faza aktive mund të zgjasë me muaj deri në tre vjet, ndërsa faza e qëndrueshme pason me ndërprerjen e inflamacionit. Faza e qëndrueshme mund të zgjasë tërë jetën.

Disa nga shenjat e sëmundjeve të syrit nga tiroidja përfshjnë tharje sysh, skuqje, ndjesi kruajtje, lotim i shtuar, pamje dyshe (quajtur diplopi), dhimbje ne levizjen e orbitave, vështirësi në mbylljen e syve.
Në fazën e inflamuar, përveç shqetësimeve të mësipërme, mund të zhvillohen lezione, gërvishtje e deri në ulçera të brendësisë së syrit.
Kush mbart risk më të lartë?
Riskun më të lartë për të zhvilluar orbitopati e mbartin femrat. Mosha mesatare për t’u diagnostikuar është reth 40 vjeç. Po ashtu, risku rritet nëse në familje është e pranishme kjo sëmundje. Gjithashtu, nivelet e ulta të seleniumit janë lidhur me zhvillimin e sëmundjeve autoimune.
Si mund të diagnostikohet orbitopatia?
Vlerësimi i parë i këtij komplikacioni bëhet nga vetë pacienti ose familjarëve të tij. Ka raste që orbitopatia është gjetja e parë që diagnostikon hipertiroidizmin nga Morbus Basedow. Në të tjera raste, orbitopatia zhvillohet me kohën, gjatë ndjekjes së kësaj patologjie. Diagnostikimi fillestar realizohet nga endokrinologu, por është vlerësimi nga okulisti që mund të gjykojë shkallën e prekjes dhe nivelin e dëmtimit. Përveç ekzaminimit fizik të syrit, mund të këshillohen teknika më të avancuara të imazherisë siç është rezonanca magnetike dhe skaneri. Ekzaminimi i orbitopatisë përfshin edhe pyetësor të lidhur me cilësinë e jetës dhe shkallën e prekjes së funksionit.







Lini një koment