Çfarë mund të marrim me vete në një seancë kimioterapie?

Të shkosh për një seancë kimioterapie nuk është një eksperiencë e këndshme, me të drejtë mund të ndjeni ankth, të jeni të frikësuar dhe të trishtuar – të gjitha këto janë më se normale. Nëse është seanca juaj e parë, mund të ndiheni edhe më shumë nervoz duke mos e ditur se çfarë ju pret. Shumë pyetje mund të lindin në ditët para seancës, për të cilat shpesh është e vështirë të gjesh përgjigjet.

Në këtë artikull do të gjeni disa këshilla që mund t`ju ndihmojnë të përballeni më lehtë me seancat tuaja të kimioterapisë apo trajtimeve të tjera sistemike për kancerin.

Kimioterapia mund të aplikohet në disa mënyra. Mënyra më e shpeshtë e aplikimit është me anë të infuzioneve në venë – kimioterapi intravenoze (IV). Disa barna mund të merren edhe nga goja ose në formën e injeksionit.

Gjatë seancës së kimioterapisë është mirë të jeni të shoqëruar nga një i afërm. Kimioterapia mund të shkaktojë lodhje, ndaj një person i afërt mund t`ju ndihmojë me shoqërimin në shtëpi dhe mund të jetë më i vëmendshëm me mbajtjen mend të gjithë informacioneve dhe rekomandimeve nga mjeku.

A duhet të bëj analiza para ciklit të kimioterapisë?

Para fillimi të çdo cikli kimioterapie mjeku onkolog do ju kërkojë të kryeni disa analiza gjaku. Në varësi të spitalit ku do të merrni trajtimin, analizat e gjakut mund t`i kryeni në spital ose mund t`i kryeni 1-2 ditë para trajtimit. Në varësi të rezultateve të analizave të gjakut, mjeku onkolog vendos për fillimin e trajtimit. Në analizat e gjakut përfshihen parametra që vlerësojnë eritrocitet (rruazat e kuqe të gjakut), hemoglobinën, rruazat e bardha të gjakut, trombocitet dhe parametra të tjera të lidhura me funksionin e organeve si mëlçia dhe veshkat.

Para fillimi të seancës së kimioterapisë do të kryhet vizita me mjekun si dhe matje të parametrave vitale si tensioni, pulsi, frymëmarrje dhe temperature. Mjeku gjithashtu do të kërkojë matje të peshës dhe gjatësisë suaj.

A duhet të hamë para seancës së kimioterapisë?

2-3 orë para infuzionit hani diçka të lehtë. Rekomandohen ushqimet e pasura me fibra. Kimiopreparatet kanë tendencën të ngadalësojnë peristaltikën, po ashtu edhe barnat kundër nauzesë dhe të vjellave. Ushqimet e pasura me fibra mund të ndihmojnë me konstipacionin.

A duhet të pimë lëngje?

Kimiopreparatet janë barna që shkaktojnë dehidrim të indeve. Pas çdo infuzioni pini rreth 250ml ujë për çdo orë deri para gjumit. Shmangni kafeinën pasi edhe ajo ka efekt diuretik dhe mund t`ju bëjë të ndiheni më keq.

Në rast se vuani nga sëmundje të veshkave ose të zemrës, duhet të flisni më parë me onkologun për sasinë e lëngjeve që mund të pini.

Çfarë duhet të merrni me vete në spital?

Kohëzgjatja e seancave të kimioterapisë varet nga lloji i skemës së trajtimit. E megjithatë, sugjerohet që pacientët të marrin disa gjëra me vete, si për të ndjerë diçka familjare me vete ashtu dhe për të lehtësuar ankthin dhe për t`u shpërqendruar disi nga i gjithë procesi.

Diçka për të lexuar. Mund të jetë një libër, një revistë apo çdo gjë që ju pëlqen të lexoni gjatë kohës së lirë. Ju sugjeroj që mos të jetë një libër mbi kancerin. Shfrytëzojeni këtë kohë për të lexuar diçka që ju largon mendjen nga situata që po kaloni, psh. një libër që ka kohë që qëndron në raftin tuaj dhe asnjëherë nuk keni gjetur kohën për ta lexuar.

Kufje. Mund të krijoni një playlist me muzikën tuaj të preferuar dhe ta konsideroni si një muziko-terapi. Mund të dëgjoni programe meditimi, një podcast me temën tuaj të preferuar ose një audiobook.

Lojëra. Shkarkoni lojëra në telefon ose tablet. Shumë njerëz e kanë këtë si mënyrën më të mirë për të larguar mendjen nga stresi.

Rroba të rehatshme. Gjatë seancës së kimioterapisë nuk do ju duhet t`i ndryshoni rrobat, kështu që është mirë të vishni diçka të rehatshme. Merrni me vete një triko dhe një kapuç sepse ndonjëherë infuzioni që aplikohet mund t`ju bëj të keni ftohtë, ose dhoma ku aplikohet kimioterapia mund të jetë e ftohtë. Gjithashtu sigurohuni që rrobat që keni veshur lejojnë aksesin e lehtë për infuzionin në krah ose në portacath.

Jastëk ose batanije. Merrni një jastëk tuajin ose batanije. Është mirë të ndiheni të mbështetur dhe ngrohtë nga gjërat tuaja personale. (Sende të tilla personale mund të mos lejohen përgjatë pandemisë së COVID-19)

Mjete për të shkruar apo vizatuar. Shumë njerëz e shfrytëzojnë kohën e lirë për të hedhur mendimet e tyre në letër apo ndihen më të relaksuar kur vizatojnë. Në raste të tjera, një fjalëkryq, sudoku ose puzzle mund t`ju ndihmojë të kaloni kohën pa mendime të trazuara.

Pije dhe snacks. Është e rëndësishme të jeni të hidratuar gjatë kimioterapisë. Edhe pse hidratimi është pjesë e terapisë me infuzione, mund të merrni me vete një shishe ujë me gaz apo pa gaz, ose ujë me copat e frutave të preferuara në të. Gjithashtu, ngrënia e ushqimeve kalorike dhe proteinike gjatë kimioterapisë është e rëndësishme. Mund të merrni diçka të vogël me vete që ju pëlqen në veçanti, vetëm sigurohuni të jetë me vlera ushqyese dhe pa shije ose aromë të fortë (fruta të thata, crackers, granola etj.). Karamelet e forta me shje limoni ose xhinxheri mund të ndihmojnë me nauzen dhe ndjesinë e gojës së thatë ose me shijen metalike në gojë.

A duhet të bëj ndonjë kontroll tjetër para kimioterapisë?

Përveç rekomandimeve të zakonshme për analiza gjaku dhe ekzaminime apo konsulta nga specialistë të tjerë, që mund të ndryshojnë në varësi të barnave që do të merrni, rekomandohet edhe një kontroll i gojës nga dentisti.

Plagët në gojë janë një efekt anësor i shpeshtë i kimioterapisë, ndaj është mirë që para fillimit të seancave me kimioterapi të bëni një kontroll dhe një pastrim të dhëmbëve te dentisti. Më pas kujdesi për dhëmbët duhet të jetë i vazhdueshëm duke i pastruar me një furçë të butë dhe shpëlarës për gojën pa alkool.

Shënim:

Edhe pse në shumicën e rasteve rekomandimet e mësipërme vlejnë për pacientët që do t`i nënshtrohen trajtimit me kimioterapi, ato nuk duhet të zëvendësojnë rekomandimet e mjekut onkolog sipas çdo rasti. Është e rëndësishme të pyesni mjekun tuaj për çdo paqartësi të lidhur me trajtimin, efektet anësore dhe barnat që do të merrni në vazhdimësi të çdo cikli kimioterapie.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna