Nodujt e tiroides janë një problem i zakonshëm klinik. Është e rëndësishme të dallohen noduset beninje nga ato malinje, pra ato që kanë risk të lartë për shëndetin dhe ata që janë deri diku të parrezikshëm. Ndërmjet ekzaminimit klinik, imazherik dhe citologjik mund të përcaktohet shkalla e problematikës së nodujve. Citologjia e tiroides (FNA) përdoret si një teknikë diagnostikuese e thjeshtë dhe me kosto efektive për klasifikimin fillestar të pacientëve me noduj. Nëse noduli plotëson kriteret për tu ekzaminuar me FNA (citologji, ago-aspirat), materiali i marrë me anë të proçedurës dërgohet në laborator për tu vlerësuar nga specialisti.
Për të arritur standardizimin nga raportimet e FNA të tiroides, në vitin 2007, Instituti Kombëtar i Kancerit (NCI) propozoi një sistem me 6 (gjashtë) nivele dhe e quajti Sistemi Bethesda për Raportimin e Citopatologjisë së Tiroides (TBSRTC).
Sistemi Bethesda krijoi një sistem raportimi të standardizuar, të bazuar në kategori për mostrat e aspirimit me gjilpërë të imët të tiroides (FNA). Rishikimi i vitit 2017 ripohon se çdo raport i FNA i tiroides duhet të fillojë me një nga gjashtë kategoritë diagnostike. Çdo kategori ka një rrezik të nënkuptuar të kancerit që varion nga 0% në 3% për kategorinë “beninje” në pothuajse 100% për kategorinë “malinje”.
Klasifikimi Bethesda
I. Jo diagnostikues ose i pakënaqshëm
Materiali nuk ka mjaftueshëm qeliza tiroide për të dhënë një diagnozë. Kjo mund të ndodhë kur një kist aspirohet ose kur mostra është pothuajse tërësisht i përbërë nga gjaku. Kjo përbën 10 për qind të FNA, edhe në duart më me përvojë. Në përgjithësi nevojitet një citologji e përsëritur disa javë pas të parës.
II. Beninje
Në këtë kategori, mostra ishte e mjaftueshme dhe përfaqësuese. Klasifikohen nodujt beninj. Diagnozat që bëjnë pjesë në këtë kategori përfshijnë nodujt folikulare beninje, tiroiditin limfocitar (Hashimoto) dhe tiroiditin granulomatoz (subakut). Këto diagnoza zakonisht nuk kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Rreziku i kancerit në këtë kategori është 0 deri në 3%.
III. Atipia me rëndësi të papërcaktuar ose lezion folikular me rëndësi të pacaktuar
Biopsitë e kësaj kategorie janë mostra përfaqësuese, por tiparet që shihen në citologji nuk janë diagnostike as për një proces beninj, as për një tumor. Rekomandimi i përgjithshëm është të përsëritet pas 6 javësh. Rreziku i malinjitetit në këtë kategori është në intervalin 5 deri në 15%.
IV. Neoplazi folikulare ose e dyshimtë për një neoplazi folikulare
Nodujt e kësaj kategorie janë tumore. Shumica e tyre do të rezultojnë të jenë adenoma folikulare të cilat janë beninje. Megjithatë, FNA nuk mund të bëjë dallimin midis tumoreve beninje dhe malinje. Rreziku i zhvillimit malinj është 15 deri në 30%.
V. E dyshimtë për Malinjitet
Nodujt e kësaj kategorie janë shumë të dyshimta për malinje, por citopatologu nuk i sheh të gjitha tiparet e nevojshme për të vendosur një diagnozë përfundimtare. Për shkak të rrezikut të lartë të malinjitetit, rekomandimi i përgjithshëm është heqja e të gjithë tiroides. Rreziku i zhvillimit malinj është 60-75%.
VI. Malinje
Pacienti me noduj të kësaj kategorie duhet t’i nënshtrohet heqjes së të gjithë tiroides. Rreziku i kancerit është 97-99%.
FNA është një proçedurë e rekomanduar, sidomos në përcaktimin e shkallës së rrezikut të nodujve. Ndërmjet sistemit Bethesda ky përcaktim është thjeshtuar dhe njëtrajtësuar kudo në botë. Sigurisht diagnoza e nodujve dhe vendimet mjekësore bazohen në më shumë se një kriter por citologjia na çon një hap më para në diagnozë.
- FDA aprovon kombinimin e ri në trajtimin e kancerit të gjirit

- Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual – po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

- Epoka e re e trajtimit të kancerit të gjirit metastatik HR-pozitiv

- Si ndihmon vlerësimi geriatrik në trajtimin e kancerit te të moshuarit

- Faktorët e riskut për kancerin e mushkërive: Jo vetëm duhani

- Atezolizumab me ctDNA: Drejt personalizimit të imunoterapisë në trajtimin e kancerit të vezikës








Lini një koment