Trajtimi për kancer, siç është kimioterapia, aplikohet kryesisht në formë intra venoze dhe për një kohë të gjatë. Port-a-cath është një pajisje e vogël mjekësore e cila e lehtëson aplikimin e terapive si për pacientin ashtu edhe për personelin mjekësor.
Çfarë është një portacath?
Portacathi është një pajisje që vendoset nën lëkurë, kryesisht në kraharor. Injektimi i medikamenteve bëhet në portë, e cila është e përbërë nga silikoni, që nuk lejon daljen mbrapa të medikamentit nga porta. Porta lidhet me një kateter i cili depërton në venat e mëdha, si vena cava superior dhe bën të mundur kalimin e medikamentit të injektuar nga porta në gjak.

Portacathi pothuajse është i padukshëm në lëkurë (duket si një gungë e vogël nën lëkurë). Injektimi i medikamenteve në portacath nuk është i dhimbshëm dhe është shumë më komod si aplikimi i zakonshëm venoz.
Pse vendoset portacathi?
Portacathi zakonisht vendoset në personat të cilët kanë nevojë për aplikime të shpeshta inravenoze, si kimioterapia.
Administrimi intravenoz i barnave, jo vetëm që është i parehatshëm për pacientët, por ndonjëherë mund të sjellë vështirësi dhe pamundësi për aplikim të skemave të ndryshme të kimioterapisë. Gjithashtu, shpesh gjetja e venave për aplikim të terapive vështirësohet për personelin mjekësor dhe vendosja e portacathit lehtëson gjithë procesin. Portacathi njëkohësisht mund të përdoret edhe për të marrë gjak për analiza.
Sa gjatë mund të mbahet portacathi?
Pjesa portale e portacathit zgjat zakonisht deri në 2000 shpime, çka është e mjaftueshme për të mbuluar gjithë periudhën e trajtimit për pacientin. Kohëzgjatja e mbajtjes së portacathit diskutohet me mjekun kurures sipas çdo rasti individual, por portacathi mund të mbahet edhe për shumë vite.
Si vendoset portacathi?
Vendosja e portacathit bëhet me anë të një procedure invazive që zgjat rreth 1 orë. Kryhet nën anestezi lokale ose gjenerale. Kirurgu bën një ose dy incizione në lëkurë dhe kraharor në të cilën depërton katheterin deri në venë. Më pas, katheterit i shtohet porta, e cila do të shërbejë më pas si një portë hyrëse për medikamentin.
Si mirëmbahet portacathi?
Kushdo që ka të vendosur një portakath mund të bëjë një jetë normale, pa treguar kujdes të vecantë. E vetmja procedurë që duhet të kryhet është pastrimi i portakathit. Pastrimi i referohet nje procedure mirëmbatjeje të portakathit, e cila nuk lejon bllokimin e tij. Pastrimi bëhet me ujë fiziologjik dhe hollues gjaku (heparine) dhe duhe të kryhet çdo 4 deri në 6 javë. Disa studime kanë treguar se pastrimi i portës mund të kryhet edhe çdo 3 muaj. Porta duhet të aksesohet gjithmonë me anë të procedurave sterile për të shmangur infeksionet.







Lini një koment