Biopsia e gjirit është një procedurë gjatë së cilës merret një mostër indi nga gjiri dhe dërgohet në një laborator anatomo-patologjik. Me anë të biopsisë përcaktohet lloji histologjik i tumorit dhe karakterstika molekulare të tij.
Gjithashtu, biopsia e gjirit është një mënyrë për të vlerësuar zona të dyshimta në gji dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një kancer gjiri apo jo.
Kur rekomandohet kryerja e biopsisë së gjirit?
Biopsia e gjirit rekomandohet në rastet e mëposhtme:
- Nëse keni vënë re një formacion në gji i cili dyshohet për kancer gjiri.
- Mammografia tregon një formacion të dyshimtë për kancer gjiri.
- Ekografia e gjirit ka treguar një formacion të dyshimtë për kancer gjiri.
- Rezonanca magnetike e gjirit ka treguar një formacion të dyshimtë për kancer gjiri.
- Nëse keni ndryshime të dukshme të gjirit, thithit ose areolës që sugjerojnë fort për kancer gjiri, si lëkura e portokallit, retraksion i thithit, sekrecione nga thithi i gjirit.
A është e rrezikshme biopsia e gjirit?
Biopsia mund të shkaktojë dhimbje ose ënjtje në zonën ku është kryer procedura. Në disa raste mund të shkaktohet infeksion dhe gjakosje në vendin ku është marrë biopsia.
Kontaktoni nëse keni temperaturë pas biopsisë, ose shenja të një infeksioni.
Theksojmë se, biopsia e gjirit nuk shkakton përhapje të qelizave tumorale.
Si duhet të përgatiteni para biopsisë?
Para se të kryeni biopsinë, ju duhet t`i tregoni mjekut nëse:
- Keni alergji
- Keni marr aspirinë në 7 ditët e fundit
- Jeni duke marr antikoagulantë (medikamente për hollimin e gjakut)
Cilat janë llojet e biopsisë së gjirit?
Biopsia me age të hollë (FNA – Citologji)
Citologjia është lloji më i thjeshtë i biopsisë së gjirit. Gjatë kësaj procedure, mjeku me anë të një age të hollë merr një mostër nga formacioni në gji. Mostra e qelizave grumbullohet në shiringë dhe më pas fiksohet në lama për testimet e mëtejshme në laborator.
Shpesh herë biopsia me age të hollë, kryhet me ndihmën e ekografisë, veçanërisht në rastet e formacioneve të vogla të gjirit.
CNB (Core Needle Biopsy)
Është një lloj biopsie e cila merret me anë të një ageje me diametër më të madh se ajo e përdorur për kryerjen e citologjisë. Kjo lloj ageje mundëson marrjen e një mostre më të madhe se ajo që mundëson FNA. Kjo procedurë kryhet zakonisht me ndihmën e ekografisë. Gjatë kësaj procedure merren mostra të ndryshme në madhësinë e një kokrre orizi, të cilat analizohen për prezencën apo jo të tipareve patologjike.
Biopsia kirurgjikale
Gjatë një biopsie kirurgjikale, një pjesë ose formacioni i plotë mund të merren për ekzaminim. Kjo procedurë njihet si biopsi incizionale. Në rast se gjithë formacioni në gji hiqet për ekzaminim, kemi të bëjmë me një biopsi ekscizionale. Biopsia kirurgjikale kryhet në një sallë operatore nën anestezi.
Çfarë ndodh pas biopsisë?
Pas gjithë llojeve të biopsisë, me përjashtim të biopsisë kirurgjikale, nuk do të keni nevojë për hospitalizim. Por, nuk mund të jeni plotësisht aktiv gjatë ditës që keni kryer biopsinë. Për te reduktuar dhimbjen në zonën ku është marrë biopsia, mund të merrni një qetësues (jo Aspirin), si psh Paracetamol dhe të vendosni një qese me akull mbi zonën ku është kryer procedura.
Në rastin e biopsisë kirurgjikale, do të keni sutura (penjtë) për të cilat duhet të tregoni kujdes të veçantë dhe sipas rastit duhet të konsultoheni me kirurgun.
Kur dalin rezultatet?
Mund të duhen disa ditë për marrjen e rezultateve. Pas kryerjes së biopsisë, mostra dërgohet në laborator ku ekzaminohet me anë të një mikroskopi dhe disa procedurave të tjera specifike.
Patologu përgatit një konkluzion të ekzaminimit, i cili përmban sipas rastit informacion mbi madhësinë e përbërjen e indit dhe nëse janë prezente apo jo qeliza kanceroze.
Në varësi të rezultatit të biopsisë do të përcaktohet dhe plani në vazhdim ne lidhje me trajtimin e mëtejshëm apo jo.







Lini një koment