Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit
Tashmë dihet se diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit është shumë i rëndësishëm për kurimin. Kanceri i gjirit është një ndër ato sëmundje që ka një ekzaminim depistues efikas, siç është mamografia. Gjithashtu ekzaminime të tjera që mund të përdoren për depistimin dhe diagnostikimin e hershëm janë rezonanca magnetike (MRI) dhe/ose eko e gjirit.
Në vitet e fundit shumë përpjekje janë duke u bërë për përmirësimin e depistimit të kancerit të gjirit. Zhvillimet në teknologji dhe imazheri kanë krijuar mundësi të reja për të përmirësuar si depistimin ashtu edhe diagnostikimin.
Një ndër këto teknologjji është mammografia 3-D, e njohur ndryshe si tomosinteza. Ndryshe nga mammografitë më të zakonshme 2-D, ky ekzaminim pasqyron imazhe të këndeve të ndryshme të gjirit, çka e bën më të lehtë identifikimin e lezioneve malinje edhe në gratë me gji me densitet të lartë.
Një tjetër zhvillim i teknologjisë që po shfrytëzohet për përmirësim të depistimit dhe diganostikimit të hershëm është inteligjenca artificiale (AI). Integrimi i AI-së në interpretimin e imazheve në ndërthurje me faktorët individualë të riskut për çdo grua, do të jetë e ardhmja e afërt për diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje.
Trajtimi i kancerit të gjirit
Trajtimet kryesore të kancerit të gjirit janë kirurgjia, rrezatimi, kimioterapia, terapitë hormonale, terapitë e targetuara e tashmë edhe imunoterapia.
Tashmë dihet që kanceri i gjirit ndahet në nëntipe, në bazë të të cilave përcaktohet prognoza dhe mënyra e trajtimit.
Në vitet e fundit disa studime kanë ndryshuar standardet e trajtimit të kancerit të gjirit. Njëri prej tyre është studimi TAILORx. Në këtë studim u përfshinë paciente me kancer gjiri ER+ dhe pa prekje të limfonodujve aksilarë. Ky studim tregoi se 70% e grave të përfshira në studim nuk përfitonin asnjë efekt klinik nga kimioterapia. Identifikimi i grave të cilat mund të përfitojnë ose jo nga trajtimi me kimioterapi bëhet me anë të testeve molekulare. Këto teste analizojnë gjenet e lidhura me rekurrencën e kancerit të gjirit. Tashmë këto teste molekulare (Oncotype Dx, Endopredict, Mammaprint) përdoren gjerësisht në gratë me kancer gjiri të hershëm, ER+/HER2- dhe ndihmojnë për të identifikuar ato paciente që vërtetë kanë nevojë për trajtim me kimioterapi.
Trajtimi i kancerit të gjirit HR+
Terapitë hormonale janë shtylla e trajtimit për kancerin e gjirit me receptorë hormonalë pozitivë (HR+). Së fundmi, për këtë nëntip të kancerit të gjirit kanë marrë vëmendje edhe terapitë e targetuara. Këto trajtime kanë treguar të rrisin mbijetesën e pacienteve me kancer gjiri HR+ metastatik.
Palbociclib, ribociclib dhe everolimus janë të aprovuara për trajtimin e kancerit të gjirit metastatik HR+/HER2-.
Abemacilcib (Verzenio) mund të përdoret në kombinim me terapinë hormonale (tamoksifen ose AI) për trajtimin adjuvant të kancerit të gjirit HR+/HER2- me risk të lartë për rekurrencë. Gjithashtu indikohet në kombinim ose jo me terapinë hormonale në trajtimin e kancerit të gjirit metastatik, HR+/HER2-.
Alpelisib është parovuar për përdorim në kombinim me terapinë hormonale për të trajtuar kancerin e gjirit HR+/HER2- metastatik, me prezencë të mutacionit PIK3CA.
Trajtimi i kanceri të gjirit HER2+
Opsionet e reja të trajtimit për kancerin e gjirit HER2+ janë të shumta.
Pertuzumab (Perjeta) indikohet në trajtimin e kancerit të gjirit HER2+ metastatik, ose si trajtim neoadjuvant ose adjuvant.
Trastuzumab dhe pertuzumab (Phesgo) në kombinim me kimioterapinë mund të përdoren për parandalimin e relapsit në kancerin e hershëm të gjirit HER2+ ose në sëmundje metastatike.
Trastuzumab deruxtecan (Enhertu) është aprovuar për trajtimin e pacientëve me kancer gjiri metastatik HER2+.
Tucatinib (Tukysa) është aprovuar në kombinim me trastuzumab dhe capecitabine (Xeloda) për trajtimin e kancerit të gjirit HER2+ metastatik. Tucatinib mund të kalojë barrierën hemato-encefalike, çka e bën një trajtim të rëndësishëm për pacientët me metastaza cerebrale.
Lapatinib (Tykerb) është aprovuar për trajtimin e disa pacientëve me kancer gjiri HER2+ metastatik, në kombinim me capeciatibine ose letrozole.
Neratinib (Nerlynx) indikohet si në stadet e hershme të kancerit të gjirit HER2+ ashtu edhe në kancerin e gjirit metastatik në kombinim me capecitabine.
Ado-trastuzumab emtansine – T-DM1 (Kadcyla) është aprovuar për trajtimin e pacientëve me kancer gjiri HER2+ metastatik si dhe në pacientët me sëmundje reziduale pas trajtimit neoadjuvant për kancer gjiri dhe kirurgji.
Kanceri i gjirit HER2-Low – nëngrupi më i ri i kancerit të gjirit
Një nëntip i ri i kancerit të gjirit është identifikuar në 2 vitet e fundit. Në fakt, ky nëntip përbën më shumë së gjysmën e rasteve me kancer gjiri. Deri tani këto tumore janë klasifikuar si HER2-. Megjithatë, me rezultatet e studimeve të fundit mbi trastuzumab deruxtecan (Enhertu), është parë se ky medikament vepron edhe në tumoret e gjirit që shprehin HER2 por jo sa për tu klasifikuar si HER2+. Krijimi i këtij nëngrupi të kancerit të gjirit do të ndryshojë ndjeshëm trajtimin për shumë gra të prekura nga ky lloj tumori.
Trajtimi i kancerit të gjirit triple negative
Kanceri i gjirit triple negativ është më vështirë për t`u trajtuar se llojet e tjerë të kancerit të gjirit, pasi nuk shpreh as receptorët hormonalë dhe as HER2. Deri tani, kimioterapia ka qenë mënyra e vetme për trajtim sistemik për këtë lloj tumori.
Fatmirësisht, tashmë barna të reja i janë shtruar opsioneve të trajtimit për këtë nëngrup:
Sacituzumab govitecan (Trodelvy) është aprovuar për trajtimin e pacientëve me kancer gjiri triple negativ metastatik, të trajtuar më parë me kimioterapi.
Pembrolizumab (Keytruda) është trajtim me imunoterapi, i aprovuar në kombinim me kimioterapinë në pacientët me kancer gjiri triple negative, PD-L1 pozitiv, metastatik. Gjithashtu, indikohet edhe në pacientët ma kancer gjiri triple negativ të stadit të hershëm, pavarësisht statusit të PD-L1.
PARP inhibitorët përfshijnë olaparibin (Lynparza) dhe talazoparibin (Talzenna). Janë aprovuar për trajtim të kancerit të gjirit metastatik HER2- ose triple negative, në pacientet mbartëse të mutacionit të trashëguar BRCA.
Barnat anti-androgjenike të cilat bllokojnë receptorët e androgjenit ose parandalojnë prodhimin e androgjenit po testohen në disa tumore të cilat shprehin receptorët e androgjenit.







Lini një koment