Hirsutizmi është një gjendje e karakterizuar nga rritja e tepërt e qimeve, e cila është veçanërisht e dukshme në pjesët tipike të trupit mashkullor, duke përfshirë fytyrën, shpinën dhe gjoksin. Në përgjithësi, një sasi më e lartë e androgjeneve në gjak shkakton hirsutizëm. Androgjenët janë hormonet përgjegjëse për cilësitë mashkullore te femrat. Një çekuilibër hormonal mund të rezultojë në rritjen e qimeve edhe pas terapive afatgjatë si lazeri.
Çfarë është Hirsutizmi?
Hirsutizmi përshkruhet si rritja e tepërt e qimeve të trasha dhe të zeza tek femrat. Rritja vihet re në zona të tilla si fytyra, shpina dhe barku. Edhe pse hirsutizmi mund të shkaktohet edhe nga efekte anësore të ilaçeve, ai më së shpeshti shkaktohet nga një çekuilibër hormonal i shkaktuar nga një tepricë e androgjeneve në qarkullim.
Shkaqet e rritjes së tepërt të qimeve në trup
Shkaku i saktë i hirsutizmit është shpesh i panjohur. Kjo e bën edhe zgjedhjen e terapisë më sfiduese. Megjithatë, shumë sëmundje janë të lidhura me zhvillimin e hirsutizmit. Disa nga shkaqet janë si më poshtë:
PCOS: Është një sëmundje hormonale e karakterizuar nga nivele tepër të larta të androgjenëve tek gratë. Simptomat e PCOS tek femrat përfshijnë çrregullime të ciklit menstrual, puçrra fytyre (akne), shtim në peshë, diabet dhe infertilitet.
Rritja e prodhimi të hormonit mashkullor: Paralelisht me hormonet femerore, prodhohen në sasi më vogël te femrat hormone ‘mashkullore’ të quajtur androgjene. Hirsutizmi mund të zhvillohet nëse nivelet e androgjenëve të një femër janë anormalisht të larta ose folikujt e flokëve janë më të ndjeshëm ndaj tyre.
Menopauza: Ndryshimet hormonale të menopauzës mund të shkaktojnë rritje të qimeve të fytyrës (mustaqe). Kjo për shkak se gjatë kësaj periudhe pakësohen ndjeshëm hormonet femërore. Reduktohen estrogjeni dhe progresteroni dhe rritet efekti i androgjenëve si testosteroni dhe DHEA (Dihidroepiandrostenedioni).
Çrregullime të tjera endokrine: Në raste më të ralla, hirsutizmi zhvillohet i shoqëruar me karakteristika të tjera mashkullore. Mund të shfaqet zëri më i thellë, rritja e masës muskulore ose puçrrat mund të sinjalizojë për sëmundje hormonale të tjera të ovareve ose mbiveshkoreve.
Medikamentet: Disa ilaçe si testosteroni, steroidet dhe glukokortikoidet mund të çojnë në çekuilibër hormonal, i cili nga ana e tij rezulton në hirsutizëm.
Simptomat e hirsutizmit tek femrat
Simptoma më e zakonshme e hirsutizmit është rritja e qimeve të trasha dhe të zeza në zonat e trupit ku normalisht shfaqen qime të holla. Si pasojë e ndryshimeve hormonale, qimet e grave në pjesën e poshtme të barkut, krahëve, fytyrës, gjoksit, shpinës dhe pjesës së sipërme të këmbëve mund të trashen. Ato bëhen më të forta dhe rriten më shpejt se zakonisht.
Strategjitë për trajtimin e hirsutizmit ndryshojnë sipas shkakut. Në varësi të arsyes themelore dhe metodës së zgjedhur të trajtimit, terapia e hirsutizmit mund ose mund të mos jetë afatgjatë. E rëndësishme është të identifikohet shkaku për të përzgjedhur terapinë e duhur.







Lini një koment