Globalisht, kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë dhe një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjes nga kanceri te gratë.
Trajtimi i kancerit të gjirit bëhet në një qasje multidisiplinare që përfshin kirurgjinë, rrezatimin dhe trajtimin me barna.
Vendimi për trajtimin është i bazuar kryesisht në stadin në diagnostikim të kancerit të gjirit. Për lehtësim të stadifikimit dhe vendimmarrjes mbi trajtimin, sëmundja klasifikohet sipas sistemit TNM (Tumor, Limfonoduj, Metastaza). Gjithashtu, rekomandohet klasifikimi edhe sipas stadit prognostik, i cili përfshin edhe karaktersitka biologjike të tumorit, që janë grada tumorale, statusi i HER2, ER dhe PR .
Kanceri i gjirit jo-metastatik ndahet kryesisht në dy kategori:
- Kanceri i gjirit i hershëm – i cili përfshin pacientët me stad I, IIA, dhe një nëngrup të stadit IIB (T2N1).
- Kanceri i gjirit i avancuar – Përfshin një nëngrup të stadit IIB (T3N0) dhe pacientë me stad IIIA, IIIB, IIIC.
Në këtë artikull do të flasim për trajtimin e kancerit të gjirit të hershëm dhe se ku bazohet vendimi për trajtim.
Në përgjithësi, pacientët me kancer gjiri të hershëm i nënshtrohen kirurgjisë së gjirit (Tumorektomi ose Mastektomi) dhe limfonodujve aksilarë, pasuar ose jo me radioterapi.
Ndërsa trajtimi sistemik pas kirurgjisë varet nga disa faktorë:
- Madhësia e tumorit
- Grada
- Numri i limfonodujve të prekur
- Statusi i receptorëve të estrogjenit
- Statusi i receptorëve te Progesteronit
- Statusi i HER2
Përsa i përket pacientëve me kancer gjiri të hershëm, nëngrupi HER2+ ose triple negative, rekomandohet trajtimi sistemik neoadjuvant, pasuar me kirurgji.
Çfarë është terapia konservuese e gjirit?
Terapia konservuese e gjirit (Breast-conserving therapy – BCT) përfshin kirurgjinë konservuese të gjirit, pra tumorektominë, pasuar me trajtim me radioterapi. Qëllimi i BCT është që përbri efekteve të njëjta të trajtimit me mastektominë, pacientja të ketë edhe efekt kozmetik në gji të pranueshëm.
BCT është gjerësisht e aplikuar përvec rasteve të mëposhtme:
- Sëmundje multicentrike
- Tumor i madh në raport me madhësinë e gjirit
- Prezencë e kalcifikimeve malinje difuze në mamografi ose MRI
- Histori e mëparshme rrezatimi në kraharor
- Paciente shtatzënë
- Kufij pozitivë edhe pas riekscizionit
Pacientet të cilat dëshirojnë BCT por nuk plotësojnë kriteret për shkak të avancimit të sëmundjes, mund t`iu ofrohet trajtimi neoadjuvant, çka mund të jap efekt të mjaftueshëm për të kryer një kirurgji gji-konservuese.
Çfarë është mastektomia?
Mastektomia është heqja e plotë e gjirit dhe indikohet në pacientet të cilat nuk i plotësojnë kriteret për të kryer një kirurgji gji-konservuese.
Si vlerësohen limfonodujt aksilarë?
Risku i metastazave në limfondujt aksilarë është i lidhur me madhësinë e tumorit, lokalizimin e tumorit, gradën histologjike dhe prezencën e invazionit limfatik.
Te pacientët të cilët nuk kanë të dhëna imazherike për prekje të limfonodujve aksilarë, kryhet biopsia e limfonodulit sentinel gjatë kirurgjisë. Pacientët të cilët rezultojnë të kenë 3 ose më shumë limfonoduj sentinel të prekur, i nënshtrohen diseksionit aksilar, pra heqjes së limfonodujve aksilarë.
Çfarë është trajtimi adjuvant?
Trajtimi sistemik i referohet trajtimit të kancerit të gjirit me barna, që përfshijnë terapinë endokrine, kimioterapinë dhe/ose terapitë biologjike.
Në bazë të karakteristikave tumorale parashikohet nëse një pacient do të përfitojë ose jo nga një terapi specifike. Psh. pacientët me kancer gjiri receptorë hormonalë pozitiv përfitojnë nga trajtimi me terapi endokrine. Pacientët me kancer gjiri HER2+ përfitojnë nga trajtimi i targetuar kundër HER2.
Për pacientët me kancer gjiri të hershëm, trajtimi bazohet në:
- Karakteristikat tumorale
- Gjendja e pergjitshme e pacientit
- Preferencat e pacientit
- Kanceri i gjirit ER+, PR+, HER2-
Në përgjithësi, pacientët me kancer gjiri receptorë hormonalë positive (ER+, PR+) duhet të marrin terapi endokrine. Ndërsa, nëse duhet apo jo të marrin kimioterapi, kjo varet nga karakteristikat e tumorit dhe pacientit.
Në përgjithësi, kimioterapia iu rekomandohet pacientëve që kanë sëmundje në stad të hershëm por me risk të lartë për rekurrencë, si:
- Gradë e lartë histologjike
- Tumor mbi 2 cm
- Prekje e Limfonodujve aksilarë
- Pikëzim i lartë në testet gjenetike për rekurrencë (MammaPrint, EndoPredict, etj.)
- Kanceri i gjirit ER-, PR-, HER2-
Për pacientët me kancer gjiri triple negative, pra ER-, PR-, HER2-, kimioterapia rekomandohet në tumoret mbi 0.5 cm. Kjo për arsye se ky nëntip tumori është më shumë agresiv dhe nuk ka trajtim endokrin ose të drejtuar kundër HER2 që mund të aplikohet.
Kanceri i gjirit HER2 pozitiv
Pacientët me kanceri gjiri HER2+, me madhësi të tumorit mbi 1 cm, duhet të marrin një kombinim të kimioterapisë me terapi të drejtuar kundër HER2.







Lini një koment