Limfoma folikulare është një formë indolente e limfomës jo-Hodgkiniane (NHL), që origjinon nga limfocitet B. Kjo limfomë zë rreth 20 – 30% të rasteve me limfomë jo-Hodgkiniane.
Simptomat më të shpeshta të limfomës folikulare janë zmadhim i gjendrave limfatike në qafë, sqetull, abdomen, regjionin inguinal, vështirësi në frymëmarrje, djerësitje natën, rënie në peshë. Shpesh ndodh që pacientët nuk kanë asnjë shenjë të sëmundjes kur diagnostikohen.
Limfoma folikulare nuk konsiderohet një sëmundje e kurueshme, por më shumë një sëmundje kronike, me të cilën pacientët jetojnë gjatë.
Cilët janë opsionet e trajtimit?
Ka disa opsione trajtimi për limfomën folikulare. Trajtimi zgjidhet në varësi të ashpërsisë së simptomave dhe ritmit të rritjes së sëmundjes.
Nëse pacienti nuk ka shumë simptoma mund të rekomandohet edhe strategjia e observimit “watch and wait”. Studimet kanë treguar se nuk ka ndryshim në mbijetesë ndërmjet pacientëve asimptomatikë që mbahen në ndjekje dhe atyre që fillojnë trajtim menjëherë pas diagnostikimit. Në rastin e observimit, pacienti monitorohet me kontrolle periodike me analiza laboratorike e teste imazherike.
Trajtimi fillon nëse pacienti shfaq simptoma të lidhura me limfomën ose ka shenja të progresit të sëmundjes.
Në përgjithësi, limfoma folikulare përgjigjet mirë ndaj kimioterapisë dhe radioterapisë. Në disa raste, kur sëmundja është e kufizuar, edhe vetëm trajtimi me radioterapi mund të japë një efekt të gjatë remisioni.
Në rastet kur sëmundja është më e avancuar, mund të fillohet trajtimi sistemik me kimioterapi, antitrupa monoklonalë – Rituximab, Obinituzumab, ose kombinimi i disa opsioneve terapeutike.
Antitrupat monoklonalë veprojnë në mënyrë më direkte se kimioterapia, duke targetuar markues specifikë që gjenden në qelizat B, për të tërhequr më shumë qeliza të sistemit imunitar për të shkatërruar qelizën tumorale. Kombinimet më të shpeshta të trajtimit janë:
- R-CHOP (Rituximab, ciclofosfamid, vinkristin, doxorubicin dhe prednizon)
- R-Bendamustine (Rituximab, bendamustine)
- R-CVP (Rituximab, ciklofosfamid, vincristin dhe prednizon)
Disa antitrupa monoklonalë mund të përdoren edhe si terapi mbajtëse për të zgjatur periudhën e remisionit.
Po në rast relapsi ose sëmundje refraktare?
Termi “relaps” i referohet rastit kur sëmundja rikthehet pas një periudhe remisioni. Termi “refraktare” i referohet rastit kur sëmundja nuk i përgjigjet trajtimit ose efekti i trajtimit zgjat pak.
Edhe pse shumë pacientë bëjnë remesion të sëmundjes e cila zgjat shumë vite, sëmundja zakonisht rishfaqet.
Pacientët të cilët bëjnë relaps të limfomës folikulare marrin trajtim të linjës së dytë, që në përgjithësi është sërish efikas dhe çon në efekte të gjata të remisionit. Disa pacientë që bëjnë relaps pas një kohe shumë të gjatë remisioni, ndonjëherë nuk kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm, por mund të mbahen nën observim me strategjinë “watch and wait”.
Për pacientët që kanë nevojë për trajtim, të njëjtat skema trajtimi që përdoren në linjën e parë, mund të përdoren edhe në linjën e dytë, por ka edhe opsione të tjera trajtimi.
Trajtimi i relapsit të limfomës folikulare ose limfomës foliklare refraktare përzgjidhet në varësi të moshës së pacinetit, gjendjes së përgjithshme, simptomave dhe kohëzgjtjes së remisionit nga trajtimi i fundit.
Kimioterapia, radioterapia, antitrupat monoklonalë dhe terapia CAR T-cell mund të jenë opsionet e mundshme të trajtimit.
- FDA aprovon kombinimin e ri në trajtimin e kancerit të gjirit

- Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual – po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

- Epoka e re e trajtimit të kancerit të gjirit metastatik HR-pozitiv

- Si ndihmon vlerësimi geriatrik në trajtimin e kancerit te të moshuarit

- Faktorët e riskut për kancerin e mushkërive: Jo vetëm duhani

- Atezolizumab me ctDNA: Drejt personalizimit të imunoterapisë në trajtimin e kancerit të vezikës








Lini një koment