Mezotelioma pleurale është një lloj i rrallë kanceri i cili prek cipën e hollë që mbështjellë mushkëritë. Ky ind i hollë përreth mushkërive quhet “pleura”.
Sëmundja zakonisht shfaqet në moshat mbi 50 vjeç dhe pothuajse në të gjitha rastet shfaqet si pasojë e ekspozimit ndaj një minerali që quhet azbest. Azbesti më parë është përdorur gjerësisht në materialet izoluese në ndërtim, frenat e makinës, si dhe shumë materiale të tjera të përdorura në industri.
Që nga viti 1970, përdorimi i azbestit është ulur ndjeshëm. Kjo ndodhi që nga momenti kur u kuptuan rreziqet që ky element sillte për shëndetin, përfshirë mezoteliomën. Problemet e shëndetit shfaqen shumë vite pas ekspozimit (30-50 vjet me vone), ndaj nëse keni qenë të ekspozuar ndaj azbestit në të shkuar, mund të keni risk për të zhvilluar mezoteliomë pleurale.
Personat që kanë punuar në punë si hidraulikë, ndërtim, saldatorë, elektriçistë etj. kanë më shumë rrezik të kenë qenë të ekspozuar ndaj azbestit e për pasojë të kenë më shumë rrezik për të zhvilluar mezoteliomë pleurale. Edhe pse azbesti nuk përdoret më në ndërtim, punëtorët që punojnë në shembjen e ndërtesave të vjetra mund të jenë të ekspozuar ndaj azbestit.
Pavarësisht fakteve të pakundërshtueshme për rrezikun e përdorimit të azbestit dhe klasifikimin e tij si element karcinogjen, disa vende në botë ende nuk e kanë ndaluar përdorimin e tij. Në figurën më poshtë gjeni një shpërndarje gjeografike të përdorimit të azbestit. Shqipëria nuk e ka ndaluar plotësisht përdorimin e tij, pra edhe pse në sasi të vogël azbesti ende gjendet në materialet e ndërtimit dhe mjete të tjera industriale.

Cilat janë simptomat e mezoteliomës?
Simptomat kryesore përfshijnë:
- Vështirësi në frymëmarrje
- Dhimbje në kraharor
Por të paturit e këtyre simptomave nuk do të thotë se keni mezoteliomë pleurale. Shumë gjendje të tjera më të shpeshta shëndetësore shkaktojnë të njëjtat simptoma.
Çfarë ekzaminimesh kryhen kur dyshohet mezotelioma?
- Grafi e mushkërive ose/dhe ekzaminime të tjera imazherike si CT ose PET-CT.
- Bronkoskopi
- Biopsi
Si trajtohet mezotelioma pleurale?
Kirurgjia nuk mund të kryhet në të gjithë pacientët por në disa raste është e mundur, duke hequr një pjesë të indit ose duke hequr likuidin që grumbullohet përreth mushkërisë ose duke shtuar një pudër në hapësirën përreth mushkërisë për të parandaluar grumbullimin e likuidit përreth.
Kimioterapia, imunoterapia dhe radioterapia janë opsione të tjera më të shpeshta në trajtimin e mezoteliomës pleurale.
Në disa raste mund të jetë i nevojshëm kombinimi i disa llojeve të trajtimit, psh disa persona mund të kenë nevojë për trajtim me radioterapi, kimioterapi dhe kirurgji. Trajtimi më i përshatshëm përcaktohet në varësi të moshës, gjendjes së përgjithshme shëndetësore dhe simptomave të tjera shoqëruese.
- FDA aprovon kombinimin e ri në trajtimin e kancerit të gjirit

- Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual – po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

- Epoka e re e trajtimit të kancerit të gjirit metastatik HR-pozitiv

- Si ndihmon vlerësimi geriatrik në trajtimin e kancerit te të moshuarit

- Faktorët e riskut për kancerin e mushkërive: Jo vetëm duhani

- Atezolizumab me ctDNA: Drejt personalizimit të imunoterapisë në trajtimin e kancerit të vezikës








Lini një koment