Bronkoskopia është një ekzaminim endoskopik që lejon eksplorimin e rrugëve te frymëmarrjes (laringut, trakesë, bronkeve) si dhe në rast nevoje marrjen e biopsisë, duke marrë mostra të mukusit ose indeve që do të ekzaminohen. Kështu, është e mundur të përcaktohet se cilat mikrobe kanë shkaktuar një infeksion të mushkërive, të diagnostikohet një tumor ose sëmundje të tjera (si fibroza pulmonare, sarkoidoza dhe vaskuliti), të kontrollohet nëse ka gjak në sputum (hemoptizë) dhe ndoshta të identifikohet origjina dhe shkaku i tij dhe gjithashtu te hiqen sekrecionet bronkiale ose trupat e huaj. Është gjithashtu e mundur të vlerësohet nëse sëmundja ka përfshirë edhe nyjet limfatike mediastinale (mediastinumi është zona anatomike brenda toraksit e vendosur midis dy mushkërive, shtëpia e strukturave të tilla si ezofag, enët arteriale dhe venoze dhe gjëndrat limfatike që kullojnë limfë kryesisht nga mushkëritë) dhe për rrjedhojë kuptojnë se sa i shtrirë është tumori.
Ekzaminimi përfshin përdorimin e një instrumenti fleksibël, në raste të rralla të ngurtë, të quajtur bronkoskop. Aparati i bronkoskopit është me përmasa të vogla, përbëhet nga fibra optike dhe është i pajisur me një burim drite që i transmeton pamjet mjekut specialist (pulmonologu).
Bronkoskopia kryhet me sedacion lokal, duke spërkatur një medikament që redukton ndjeshmërinë në gojë dhe në fyt. Në disa raste, në sallën e operacionit, kryhet nën anestezi te përgjithshme.
Si realizohet Bronkoskopia?
Bronkoskopi futet në hundë ose në gojë, duke e bërë atë të zbresë në sistemin e frymëmarrjes në mënyrë që trakeja dhe bronket të mund të vëzhgohen.
A është Bronkoskopia një ekzaminim që mund ta bëjnë të gjithë?
Bronkoskopia duhet të kryhet me kujdes të veçantë te personat me sëmundje të caktuara të zemrës (infarkt miokardi të kohëve të fundit, insuficiencë kardiake ose disa anomali të ritmit), për shkaktimin e mundshëm të aritmive, si dhe te ata persona me probleme të koagulimit të gjakut ose insuficence respiratore.
Ka nevojë për ndonjë përgatitje të veçantë në ditët apo orët para procedures?
Për të kryer bronkoskopinë është e nevojshme që pacienti të jetë esëll dhe të mos ketë marrë lëngje nga 6-8 orë para ekzaminimit. Nuk është e nevojshme nderprerja e mjekimeve që merren pa udhezimin e mjekut. Megjithatë, në rast se duhet të kryeni biopsi të veçanta me rrezik hemoragjie, mjeku mund të sugjerojë të ndaloni marrjen e barnave që synojnë uljen e mpiksjes së gjakut (psh. aspirina, plavix, xarelto, sintrom, heparina etj.) disa ditë përpara bronkoskopisë. Është gjithmonë thelbësore të raportoni çdo alergji tek specialisti.
Sa zgjat ekzaminimi?
Kohëzgjatja e procedurës së bronkoskopisë është mjaft e shkurtër. Rrallëherë kalon 15-20 minuta. Në rastin e bronkoskopisë EBUS, kohëzgjatja mund të jetë deri në 30-60 minuta, gjithashtu në varësi të numrit të biopsive të nevojshme.
Është më mirë të më shoqërojë dikush apo mund të vij vetëm?
Ditën e procedurës duhet të jeni gjithmonë të shoqëruar.
A është i dhimbshëm ekzaminimi me bronkoskopi?
Jo, nuk është i dhimbshëm. Bronkoskopia realizohet nën efektin e anestezisë lokale ose gjenerale. Kini parasysh se bronkoskopi nuk pengon rrugët e frymëmarrjes, kështu që ju do të vazhdoni të merrni frymë normalisht gjatë procedurës. Pas procedures mund të keni vështirësi në gëlltitje për disa orë. Nuk rekomandohet të pini apo të hani të paktën dy orë pas përfundimit të bronkoskopisë.
Në ditët në vijim është e mundur të përjetoni një dhimbje të lehtë të fytit, të vëreni sasi të vogla gjaku në pështymë (veçanërisht nëse është bërë lavazh bronkioloalveolar ose biopsi) ose të keni një temperaturë të lehtë – simptoma këto që do të zhduken spontanisht.
Cilat janë komplikacionet e Bronkoskopisë?
Bronkoskopia është një ekzaminim i sigurt. Ndërlikimet janë shumë të rralla dhe në shumicën e rasteve janë pasojë e sëmundjeve që mund të jenë tashmë në zhvillim. Bronkoskopia nuk përfshin as përdorimin e rrezatimit dhe as rreziqe afatgjata. Pas kryerjes së bronkoskopisë këshillohet që të qëndroni nën vëzhgim për disa orë.
A mund të rifilloj menjëherë jetën time normale apo duhet të kem masa paraprake të veçanta?
Pasi të ktheheni në shtëpi, duhet të pushoni për rreth tre orë. Nëse shfaqet hemoptoe (gjakderdhja) ose dhimbja vazhdon, kontaktoni mjekun tuaj.







Lini një koment