guret ne veshka

Gurët në veshka janë një problem shumë i shpeshtë. Çdo vit, më shumë se gjysmë milioni njerëz shkojnë në urgjencë për problemet e gurëve në veshka. Gjithashtu, është vlerësuar se një në dhjetë njerëz do të kenë gurë në veshka në një moment të jetës së tyre.

Gurët në veshka (të quajtura edhe gurë renale, nefrolithiasis ose urolithiasis) janë depozita të forta të përbërë nga minerale dhe kripëra që formohen brenda veshkave. Dieta, pesha e tepërt trupore, disa patologji mjekësore dhe disa suplemente apo medikamente janë ndër shkaqet e shpeshta.

Gurët mund të gjenden në çdo pjesë të traktit urinar – nga veshkat deri te fshikëza. Shpesh, ato formohen kur urina është shumë e koncentruar, duke lejuar mineralet të kristalizohen dhe të ngjiten së bashku.

Në urinë gjenden toxina të shumta të cilat eleminohen me anë të “kimistit” kryesor të trupit: veshka. Në shumicën e njerëzve, marrja e mjaftueshme e lëngjeve eleminon toksinat dhe mineralet e ndryshme dhe parandalon formimin e gurëve. Minerale janë kryesisht kalciumi, oksalati, urati, cistina, ksantina dhe fosfati.

Eleminim i gurëve mund të jetë mjaft i dhimbshëm, por shpesh herë nuk shkakton komplikacione afatgjata nëse diagnostikohet në kohën e duhur. Në varësi të situatës, mund t’ju duhet të merrni ilaçe kundër dhimbjeve dhe të pini shumë ujë për të eleminuar gurin nga veshka. Në raste të tjera – nëse gurët ndodhen në traktin urinar, shoqërohen me një infeksion urinar ose shfaqin komplikacione të rënda – duhet të kontaktoni menjeherë mjekun specialist.

Çfarë shqetësimi na japin gurët veshka?

Si rregull i përgjithshëm, sa më i madh të jetë guri, aq më të theksuara janë simptomat. Simptomat mund të jenë një ose më shumë nga këto:

  • dhimbje të forta mesi që përhapet deri në fund të barkut
  • urinim me ngjyrë të errët në të kuqe (hematurike)
  • nauze ose të vjella
  • ethe dhe të dridhura
  • urinë me aromë të keqe ose e turbullt

Guri në veshka fillon të dhemb kur shkakton acarim ose bllokim. Në shumicën e rasteve, gurët në veshka eleminohen pa shkaktuar dëme – por jo pa shkaktuar dhimbje.

Antiinflamatorët josteroidal dhe qetësues të tjerë dhimbjes janë një ndër medikamentet ndihmuese për qetësimin e dhimbjes. Në rast se simptomat shpeshtohen dhe gjendja juaj e përgjithshme përkeqesohet duhet të konsultoheni patjetër me mjekun specialist.

Cilët janë tipet e gurëve në veshka?

Gurët në veshka janë të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme. Përcaktimi i tipit të gurit na ndihmon në trajtimin dhe parandalimin e formimit të gurëve të rinj.

Gurët e kalciumit – Shumica e gurëve në veshka janë gurë kalciumi, zakonisht në formën e oksalatit të kalciumit. Oksalati është një substancë që prodhohet çdo ditë nga mëlçia ose merret nëpërmjet dietës. Disa fruta dhe perime, si dhe arrat dhe çokollata, kanë përmbajtje të lartë oksalate. Faktorët dietik, doza të larta të vitaminës D dhe disa çrregullime metabolike mund të rrisin përqendrimin e kalciumit ose oksalatit në urinë.
Gurët e kalciumit mund të shfaqen edhe në formën e fosfatit të kalciumiti i cili formohet kryesisht ne patologjitë renale. Mund të formohen gjithashtu nga përdorimi i medikamenteve që trajtojnë migrenën ose epilepsinë.

Gurë struviti – Gurët e struvitit formohen në infeksione të shpeshta të traktit urinar.

Gurët e acidit urik – Gurët e acidit urik mund të formohen te njerëzit që humbasin shumë lëngje për shkak të diarresë kronike, ata që kanë një dietë me proteina të lartë dhe ata me diabet ose sindromë metabolike. Disa faktorë gjenetikë gjithashtu mund të rrisin rrezikun e formimit të këtyre gurëve.

Gurët cistinë – Këta gurë formohen te njerëzit me një çrregullim të trashëguar të quajtur cistinuria që bën që veshkat të sekretojnë më shumë aminoacide.

Si diagnostikohen gurët në veshka?

Diagnoza e gurëve në veshka fillon me anamnezën, ekzaminim fizik dhe laboratorik dhe teste imazherike.

Ekzaminimet laboratorike: Testet e gjakut mund të zbulojnë hiperkalceminë ose hiperuriceminë. Gjithashtu këto teste ndihmojnë në monitorimin e funksionit të veshkave.

Testi i urinës – Testi 24-orësh i grumbullimit të urinës mund të tregojë se po nxirrni shumë minerale që formojnë gurë ose shumë pak substanca që parandalojnë gurët. Për këtë test, mjeku juaj mund të kërkojë që të kryeni dy grumbullime të urinës për dy ditë rresht.

Testet imazherike – Mund të tregojnë gurë në veshka ose në traktin tuaj urinar. Skaneri i abdomenit mund të zbulojë edhe gurë të vegjël. Ekografia një test joinvaziv që kryhet shpejt dhe lehtë, është një tjetër mundësi imazherike për të diagnostikuar gurët në veshka.

Si i trajton mjeku gurët në veshka?

Trajtimi i gurëve në veshka varet nga madhësia e gurit dhe lloji i gurit. Nëse guri në veshka është i vogël, mjeku mund t’ju kërkojë të merrni mjekime për qetësimin e dhimbjeve dhe të pini lëngje për të ndihmuar në eleminimin e gurit përmes urinës.

Nëse guri në veshka është i madh ose bllokon traktin urinar, mund të nevojitet:

Litotripsi: Përdorimi i valëve të goditjes për të copëtuar gurin në veshka. Copat e vogla të gurit në veshka dalin përmes urinës.

Ureteroskopia: Gjatë një ureteroskopie, mjeku futet me sondë në ureterin tuaj për të nxjerrë gurin (nëse është i vogël) ose për ta thyer atë në copa të vogla (duke përdorur një lazer nëse është i madh).

Kirurgjia: Në raste të rralla, nevojitet kirurgji për të hequr gurët në veshka.

Parandalimi i riformimit të gurëve

Pas përcaktimit të tipit të gurit personeli mjekësor do t’ju japë këshilla se si t’i parandaloni ato. Kjo mund të përfshijë ndryshimin e dietës tuaj dhe marrjen e medikamenteve të caktuara. Nuk ka një dietë të vetme për parandalimin e gurëve në veshka. Të gjithë janë të ndryshëm në bazë të metabolizmit të secilit individ.

Pasojat afatgjata të gurëve në veshka

Gurët në veshka rrisin rrezikun e sëmundjeve kronike të veshkave. Nëse keni pasur një gur, jeni të predispozuar për të patur një gur tjetër. Nëse keni vuajtur nga gurë në veshka, atëherë keni rreth 50% më tepër risk për tu riformuar nje gur tjetër brenda 5 deri në 7 vite.


Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna