vaji i kanabisit

Vaji i kanabisit është mjaft i dëgjuar edhe për përdorimin e tij në mjekësi, veçanërisht në pacientët me kancer në menaxhimin e dhimbjeve apo efekteve anësore nga terapia. Por a janë të verteta benefitet e këtij vaji dhe çfarë duhet të dimë mbi përdorimin e tij?

Çfarë është vaji i hashashit dhe nga ndryshon ai nga marijuana apo bari i thjeshtë i hashashit?

Cannabis sativa është një bimë, e njohur me emra të tjerë si marijuana, bari, ganja apo hashash. Bima prodhon një rezinë që përmban një numër substancash apo kimikatesh të njohura si kanabinoide. Përbërësit aktiv më të njohur janë delta-9-tetrahidrocannabinol (THC) dhe cannabidiol (CBD).

THC është një substancë psikoaktive që mund të krijojë ndjesinë e euforisë, ndikon në tru duke alteruar humorin e përjetimet. CBD është një kanabinoid që mund të lehtësojë dhimbjen, të uli inflamacionin dhe të ul ankthin pa efektin psikoaktiv të euforisë që jep THC.

Lloje të ndryshme të bimës kanabis kanë sasi të ndryshme të këtyre përbërësve dhe kimikateve të tjera. Kjo do të thotë se ato nuk kanë të njëjtat efekte në organizëm.

Ka disa lloje vajrash që mund të ekstraktohen nga pjesë të bimës së kanabis, të cilat janë:

  1. Vaji i kanabis
  2. Vaji CBD
  3. Vaji i kërpit

Përse pacientët me kancer e përdorin vajin e kanabisit dhe a ka ndonjë të vërtetë se mund të arrijë të kurojë kancerin?

Kanabis është përdorur për qëllime mjekësore dhe rikreacionale prej qindra vitesh. Ka patur vazhdimisht interes nëse kanabinoidet mund të ishin të dobishme në trajtimin e kancerit. Kërkimi shkencor i bërë deri më sot në kushte laboratorike nuk ka arritur rezultate konkluduese ndaj nuk mund të themi se kanabinoidet mund të përdoren për të kuruar kancerin.

Çfarë është Kanabisi mjekësor?

Kanabis mjekësor është një term i përdorur për produktet e cannabis që përdoren për të lehtësuar simptomat mjekësore. Disa prej këtyre produkteve mund edhe të gjenden në përshkrimet mjeksore, të cilat po i listojmë edhe më poshtë:

  1. Nabilone (Cesamet) – një medikament i prodhuar nga kanabis dhe i miratuar nga FDA  për të trajtuar nauzenë e shkaktuar nga kimioterapia që nuk dominohet prej medikamenteve konvencionale antiemetike. Gjendet në formë capsule.
  2. Sativex (Nabiximols) – është një medikament i prodhuar nga kanabis, por që nuk ka marr ende aprovimin nga FDA. Në Britaninë e Madhe ky bar është i liçensuar për trajtimin e spasticitetit muskular në pacientët me sklerozë multiple dhe nuk është i miratuar për përdorime të tjera. Gjendet në formë likide në trajtë spray për përdorim oral.

Cilat janë efektet anësore të kanabis mjekësor?

Nabilone mund të shkaktojë efekte anësore si ritje e frekuencës kardiake, probleme me tensionin e gjakut, përgjumje, luhatje të humorit dhe probleme me kujtesën.

Kanabis që përmban nivele të larta të THC mund të shkaktojë atake paniku, haluçinacione dhe paranoja. Ka disa produkte me bazë cannabis që mund të gjenden online, por cilësia e këtyre produkteve është e dyshimtë kjo pasi nuk mund të dihet me siguri çfarë substancash ato përmbajnë dhe përqëndrimet e tyre.

A ka ndonjë produkt të derivuar nga vaji CBD që është miratuar nga FDA për të trajtuar kancerin, simptomat e tij apo efektet anësore të trajtimit?

Përgjigjia është JO! Nuk ka asnjë produkt të derivuar nga vaji i hashashit i miratuar për këtë gjë.

A ka ndonjë produkt me origjinë nga vaji CBD që është aprovuar nga FDA për trajtim mjekësor?

Po, Epidiolex. Fillimisht është miratuar në vitin 2018 për trajtimin e dy gjëndjeve të lidhura me epilepsinë: sindromin Lennox-Gastaut dhe sindromin Dravet.

Çfarë mund të bëjë vaji i hashashit për të lehtësuar simptomat e kancerit apo efektet anësore që vijnë nga terapia?

Në fakt nuk mund të thuhet se vaji i hashashit lehtëson simptomat apo efektet anësore të terapisë kundër kancerit, pasi studimet janë goxha kontradiktore dhe shumë pak janë të standartizuara.

Ka patur raportime se kanabidioitet si THC dhe CBD mund të jenë të dobishëm për nauzenë, të vjellat dhe anoreksinë, ashtu si edhe për neuropatinë, ankthin, depresionin dhe pagjumësinë tek pacientët me kancer. Sintetik si Dronabinol janë aprovuar për t’u përdorur në rastet me nauze dhe të vjella nga kimioterapia, por nuk kanë treguar superioritet ndaj barnave konvencionale antiemetike.

Cilat janë rreziqet e përdorimit të vajit të hashashit?

Cilësia, pastërtia dhe rregullimi janë shqetësimet madhore kur përdoret ky vaj. Për aq kohë sa vaji i hashashit nuk marketohet si një bar mjekësor apo suplement dietik, prodhuesit mund t’i bëjnë bisht proçesit rregullator të FDA dhe enteve të tjera rregullatore që merren me barnat e suplementet. Deri më sot vaji i hashashit mbetet një produkt jo i aprovuar dhe për rrjedhojë është e vështirë të dihet se sa CBD apo THC ka në produktet që qarkullojnë në treg. Për sa i opërket pastërtisë, THC dhe CBD janë të dyja ekstrakte nga bari i hashashit të derivuara nga proçese të ngjashme. Sasi të vogla të THC mund të gjenden apo përfundojnë në vajin e CBD dhe nëse janë në përqëndrime të larta, mund të japin efekte psikoaktive  për të cilat THC njihet.

Gjithashtu, nëse laboratori prodhon produkte nga CBD dhe THC mund të ketë kontaminime, qoftë gjatë ekstraktimit, menaxhimit apo edhe paketimit.

Së fundmi, ka patur  raportime infektimesh pas përdorimit të CBD dhe produkteve të kanabisit. Kjo është veçanërisht shqetësuese për pacientët e imunokompromentuar, të cilët janë shumë herë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve bakteriale dhe mykotike.

Janë gjetur disa substanca në produktet CBD si dekstrometorfan, që është një përbërës që gjendet në barndat kundër kollës. Metale të rënda si arseniku, pesticidet dhe myku mund të gjenden në disa prej produkteve CBD.

Cilat janë efektet anësore të vajit të hashashit?

Vaji i hashashit mund të ndikojë në funksionin hepatik (të mëlçisë). Kjo gjendet edhe në instruksionet e përdorimit të Epidiolex. Në studimet laboratorike, CBD ka treguar se inhibon disa enzima që janë përgjegjëse për metabolizimin e barnave si CYP2D6 dhe CYP3A4. Kjo mund të ndikojë se si bari funksionon dhe ndikon në organizmin tonë, qoftë duke reduktuar efikasitetin e tij apo duke i bërë ato më të rrezikshme. Kjo gjë vlen edhe për preparatet kimioterapeutike dhe është shumë e vlefshme të kuptohet prej pacientëve me kancer, pasi shumë besojnë se vaji i hashashit nuk është një bar. Ata mund ta konsiderojnë si një lloj vitamine apo suplementi dhe për rrjedhojë mund të mos e informojnë mjekun e tyre mbi përdorimin e tij. Kjo përbën rrezik dhe është shumë e rëndësishme informimi i mjekut në rast përdorimi të vajit CBD.

A është vaji i hashashit i ligjshëm?

Në Shqipëri aktualisht përgjigjia është JO.

CBD ka një status ligjor mjaft kompleks edhe në vendet e zhvilluara si SHBA. Në nivel nacional,në Amerikë çdo produkt i marijuanës – duke përfshirë edhe vajin – ëshë ende teknikisht i jashtëligjshëm kur përdoret për qëllime mjekësore. Ndonëse në  vitin 2018 u legalizua prodhimi i barit, kjo lejohet vetëm nëse nuk marketohet për përdorim mjekësor apo si suplement dietik. Produktet CBD me qëllim përdorimi mjekësor duhet patjetër të kalojnë proçesin e vlerësimit prej entit rregullator FDA.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna