Kanceri i gjirit - parandalimi në gratë me risk të lartë

Kanceri i gjirit është kanceri më shpeshtë në gra dhe incidenca vazhdon të rritet. Shumë zbulime dhe përmirësime në modalitetet e trajtimit kanë reduktuar vdekshmërinë nga kjo sëmundje, veçanërisht në vendet e zhvilluara.

Parandalimi i kanceri të gjirit mbetet mënyra më efektive për të zvogëluar barrën e kësaj sëmundjeje në shoqëri, e megjithatë, prapë mbetet një strategji jo mirë e shfrytëzuar.

Parandalimi i kancerit të gjirit mund të arrihet ose duke ndërhyrë në gjithë popullatën ose duke implementuar strategji në gratë me risk të lartë për kancer gjiri. Për të dy strategjitë ka mendime pro dhe kundër por duket sikur kosto-benefiti është më i favorshëm në rastin kur strategjia implementohet në gratë me risk të lartë për kancer gjiri.

Faktorët e riskut për kancer gjiri

Faktorët e riskut për kancer gjiri i ndajmë në të modifikueshëm dhe jo modifikueshëm. Disa prej tyre si psh. aktiviteti fizik dhe alkooli bien në kategorinë e stilit të jetesës që është i modifikueshëm. Nga ana tjetër, personat me risk të lartë kanë në përgjithësi faktorë risku të pa modifikueshëm, si psh. historia familjare, densitet i lartë i gjirit apo histori me sëmundje beninje të gjirit.

Faktorët e riskut për kancer gjiri

Rëndësia e sëmundjeve beninje të gjirit si faktor risku

Disa sëmundje benijne të gjirit janë të lidhura me riskun për kancer gjiri. Më e shpeshta është hiperplazia atipike e cila e rrit riskun për kancer gjiri me 4-5 herë. Gratë që kanë histori me hiperplazi atipike të gjirit duhet të konsiderohen si me risk të lartë.

Sëmundjet beninje të gjirit që rrisin riskun për kancer gjiri:

  • Hiperplazia atipike e gjirit
  • Hiperplazia e gjirit pa atipi
  • Fibroadenoma me hiperplazi pa ose me atipi
  • Kiste të aspiruara (pa histologji)

Trashëgueshmëria e kancerit të gjirit

Rreth 90% zhvillohen si pasojë e mutacionave somatike, të cilat nuk janë të trashëgueshme por ndodhin përgjatë jetës. Kanceri i gjirit si pasojë e mutacionve të trashëguara ndodh kryesisht për shkak të mutacioneve në gjenet BRCA1 dhe BRCA2.

BRCA1 dhe BRCA2 janë gjene me penetrim të lartë, dhe mundësia për zhvillim të kancerit të gjirit është shumë e lartë – rreth 69-72%. Frekuenca e këtyre mutacioneve në popullatën e përgjithshme është 1 në 200 ose 1 në 400. Ndërsa është më e shpeshtë në disa popullata të veçanta si Hebrenjtë Ashkenazi – rreth 1 në 40. Mbartësit e mutacioneve BRCA kanë gjithashtu risk të shtuar për kancer të pankreasit, prostatës (burrat) dhe të ovarit – rreth 44-59%.

Gjene të tjera me risk më të ulët se gjenet BRCA për zhvillim të kancerit të gjirit janë:

  • p53
  • PTEN
  • CDH1
  • STK11
  • PALB2
  • CHECK2
  • ATM
  • NF1.

Çfarë duhet marrë në konsideratë për parandalimin e kancerit të gjirit në gratë me risk të lartë

Predispozita gjenetike

Është e rëndësishme të përcaktohet nëse kemi të bëjmë me mutacione gjenetike të trashëguara ose jo. Pasi menaxhimi i këtyre dy grupeve ndryshon.

Qasja multidisiplinare

Është e rëndësishme që kujdesi ndaj grave me risk të lartë për kancer gjiri të bëhet nga një ekip multidisiplinar. EKipi duhet të përfshijë një gjenetist, radiolog, psikolog, kirurg senolog, gjinekolog dhe kirurg plastik.

Modifikime në stilin e jetesës

Gratë me risk të lartë për kancer gjiri shpesh zgjedhin ndërhyrjet parandaluese, e megjithatë kjo nuk duhet të konsiderohet si një zëvendësues i modifikimit të stilit të jetesës. Edhe pas ndërhyrjeve të mëdha parandaluese, ekziston një risk minimal për zhvillim të kancerit të gjirit, ndaj modifikimet e stilit të jetesës janë gjithmonë të këshillueshme.

Fillimi i kontrolleve periodike

Mosha në të cilët duhen filluar kontrollet periodike në gratë me risk të lartë për kancer gjiri varet nga predispozita gjenetike. Disa udhëzime rekomandojnë që MRI (rezonanca magnetike) të fillojë në moshën 20 vjeçare për mbartësit e p53 dhe në moshën 30 vjeçare në mbartësit e mutacioneve BRCA.

Është e rëndësishme të kuptohet se mosha mesatare e zhvillimit të kancerit të gjirit ndryshon në varësi të mutacionit gjenetik, për këtë arsye edhe mosha se kur duhet të fillojnë kontrollet periodike varet nga mutacioni i mbartur.

Parandalimi i kancerit të gjirit me anë të kirurgjisë

Mastektomia bilaterale (BRRM) dhe salpingo-oophorectomia bilaterale (BRRSO) janë ndërhyrjet kirurgjikale që kryhen në gratë me risk të lartë me prezencë të mutacioneve gjenetike.

BRRM redukton riksun për zhvillim të kancerit të gjirit me rreth 90%. Mosha në të cilën mund të kryhet kirurgjia varet nga dëshira për lindje të gruas, mosha mesatare e zhvillimit të kancerit për një mutacion të caktuar dhe mosha e shfaqjes së kancerit sipas historisë familjare.

BRRSO ka si qëllim reduktimin e riskut për kancer të ovarit. Por studimet e fundit tregojnë se kjo ndërhyrje mund të reduktojë edhe riskun për kancer gjiri me 50%. Ky efekt duket më i shprehur në mbartësit e BRCA2 se ata të BRCA1. Megjithatë, më shumë studime janë të nevojshme për të kuptuar plotësisht benefitin e kësaj lloji kirurgjie në reduktimin e riskut për kancer gjiri.

Parandalimi i kancerit të gjirit me anë të barnave

Modulatorët selektivë të receptorëve të estrogjenit (SERM) si tamoxifeni dhe inhibitorët e aromatazës janë trajtime kyçe kundër kancerit të gjirit. Të dy këto grupe barnash kanë treguar gjithashtu efekt në parandalim të kancerit të gjirit. Reduktimi i riskut nga SERM është me rreth 38% ndërsa nga përdorimi i anastrazolit dhe exemestanit risku ulet me rreth 50%. Këto përfitime vlejnë vetëm për parandalim të kancerit të gjirit Estrogjen (ER) pozitiv.

Mungesa e efektit në parandalimin e kancerit të gjirit ER-negativ përbën një shqetësim të vazhdueshëm pasi në personat mbartës të mutacionit BRCA1, nëntipi ER-negativ përbën rreth 2/3 e rasteve me kancer gjiri. Ky shqetësim është më i vogël në mbartësit e mutacionit BRCA2, pasi fenotipi tumoral i tyre nuk ndryshon ndjeshëm nga popullata e përgjithshme.

Çfarë duhet të bëj një grua me risk të lartë për kancer gjiri?

“Çdo grua me risk të lartë për kancer gjiri duhet të kërkojë të informohet më shumë mbi opsionet e mënyrave të parandalimit të kancerit të gjirit, mbi përfitimet dhe pasojat që mbart secili prej modaliteteve parandaluese. Duke u bërë pjesë proaktive e vendimeve mbi shëndetin e tyre, gratë me risk të lartë për kancer gjiri mund të maksimizojnë përfitimet që vijnë me trajtimin.” thote Dr Kleida Mati, mjeke onkologe.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna